Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
A ndikon vërtet COVID-19 në harresë?

Shkruar nga Fisnik Dajakaj

Një cështje e ngritur së fundi edhe nga ekspertët e shëndetit mendor është ajo se a ndikon koronavirusi në harresë. Personat e infektuar së fundi me COVID-19 kanë shfaqur simptoma të tilla pas shërimit, mirëpo nuk kanë qenë të bindur nëse ka qenë pikërisht virusi shkaktar i drejtpërdrejtë në këtë proces.

E kontaktuar nga Familja jonë, psikologia Antigona Qenaj-Sejdiu tregon se, edhe pse nuk dihet saktë për statistika, rreth një e treta e personave të infektuar me koronavirus kanë manifestuar probleme me kujtesën.

Një nga çështjet me të cilat janë marrë studiuesit është edhe harresa dhe problemet në sistemin nervor, të shkaktuara nga virusi. Nuk kemi një studim që tregon në detaje statistika dhe arsye pse vjen deri te harresa, por ka studime që tregojnë për një të tretën e pacientëve të prekur me COVID-19 që kanë raportuar probleme me kujtesën, një mjegullim të trurit dhe harresë”, theksoi ajo për Familja jonë.

Meqenëse ende ka paqartësi lidhur me shkaqet se pse po ndodh kjo, Sejdiu tregon se studiuesit këtë problem po e shohin në dy rrafshe. Sipas saj, disa studiues problemin e harresës e ndërlidhin me vështirësitë që sjell COVID-19 në sistemin nervor, ku merret si shembull humbja e shqisës së nuhatjes si njëra nga simptomat e koronavirusit, dhe disa studiues të tjerë problemin e harresës po e shohin si rezultat i ballafaqimit psikologjik me pandeminë.

Disa hulumtime e lidhin këtë me ndikim që ka virusi në tru dhe sistemin nervor. Ata marrin shembull humbjen e shqisës së nuhatjes e cila shkaktohet nga ndikimI që ka virusi në fijet nervore të kësaj shqise. Gjithashtu kemi rastin e Sulmeve në tru dhe problemeve neurologjike të shkaktuara nga virusi COVID-19. Por, gjithashtu studimet e lidhin çështjen e harresës edhe me faktin se ballafaqimi me Covid-19 është traumatik dhe shkakton pasoja, sic është crregullimi i stresit postraumatik. Kjo për shkak se virusi mendohet se është vdekjeprurës dhe lufta me të përbën një shqetësim shumë të madh psikologjik për pacientin. Prandaj, studiuesit e mendojnë harresën si një nga simptomat e stresit që përjetojnë pacientët që preken nga virusi”, shtoi ajo.

Për fund, psikologia shpjegon se është shumë e rëndësishme që të mos bëhet panikë dhe të menaxhohen ankthi dhe stresi, pasi këto na ndihmojnë që ta kalojmë më lehtë këtë periudhë dhe të mos kemi problem psikologjike pas kalimit të pandemisë.

Menaxhimi i mirë i ankthit dhe stresit gjatë ballafaqimit me COVID-19 mundëson pacientët të përjetojnë sëmundjen më lehtë dhe simptomat e tilla si harresa të përjetojnë më pak. Stabiliteti psikologjik ndihmon sistemin imunitar të luftojë sëmundjen, prandaj qasja ndaj virusit duhet të jetë me pozitivitet, me shprese, forcë, qetësi dhe pjekuri. Të mos neglizhohet por as të mos krijojmë panikë. Kjo na mban larg shumë problemeve psikologjike post COVID-19”, përfundoi ajo.

Youtube

Arkiva

Kategoritë