Në emisionin “Takim virtual me Shëndritin” ishte i ftuar psikologu klinik, Visar Sadiku, me të cilin u diskutua për pasojat psikologjike që COVID-19 ka mundur të lërë te ne.
Gjatë intervistes, Sadiku u pyet edhe për ndikimin psikologjik të koronavirusit në shtimin e vetëvrasjeve, saktësisht a e ka shtuar koronavirusi numrin e vetëvrasjeve.
Sipas Sadikut, vetëvrasja është një gjendje e rrallë dhe shumë komplekse, megjithatë virusi mund të ketë qenë njëri ndër shkaktarët e rëndimit të gjendjes psikologjike të personit që ka cuar drejt vetëvrasjes. Ai shprehet se shkaqet e vetëvrasjes së një personi duhet të kërkohen edhe te ndonjë sëmundje mendore eventuale e tij ose te gjendja e rënduar emocionale, ashtu që, kur të gjitha të jenë të bashkuara mund të shpiejnë drejt një akti të tillë. Por, kurrsesi nuk duhet të kërkohet vetëm një shkak, në këtë rast virusin, që mund të ketë pasur ndikim vendimtar në këtë proces.
“Të kuptohemi, vetëvrasja është një proces i rrallë dhe mjaft kompleks. Vetëvrasje ka pasur gjithmonë, fatkeqësisht, dhe gjithmonë do të ketë, mirëpo pandemia, sic duket, mund të ketë qenë një indikator i shtuar i cili mund ta ketë përkeqësuar edhe më shumë situatën e personit që ka cuar drejt vetëvrasjes dhe duke parë natyrën shumë komplekse të vetëvrasjes, duhet marrë parasysh anamneza e familjes, sëmundjet e mundshme në aspektin mendor, gjendja emocionale e personit së fundi dhe relacionet që ai ka pasur. Kur kombinohen këto, duke ia shtuar edhe situatën me virusin, sigurisht se virusi do të jetë një faktor shtesë në këtë mes”, shprehet ai për Familja jonë.
Sipas tij, me të rrezikuarit në këtë aspekt janë personat me depresion që nuk i marrin shërbimet si duhet dhe janë pa kujdesin e mirëfilltë shëndetësor.
Sadiku shprehet se tashmë jemi të hapur të dalim dhe raportet nuk janë sic kanë qenë gjatë izolimit, prandaj edhe manifestimet e tilla mund të jenë më të rralla, por kur mbledhen të gjithë faktorët edhe virusi mund të jetë stimulues drejt këtij procesi.