Dita e sotme në Evropë po cilësohet si më e keqja, që nga fillimi i pandemisë së coronavirusit.
Në Gjermani gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 14.964 raste të reja me coronavirus, që është numri më i madh në baza ditore që nga fillimi i epidemisë, ka njoftuar Instituti Robert Kuh.Rekordi i mëparshëm është regjistruar të premten, kur janë evidentuar 14.714 raste të reja.
E përditshmja gjermane Bild ka raportuar se kancelarja gjermane Angela Merkel, ka kërkuar takim me zyrtarët e 16 rajoneve gjermane ku do të diskutojnë për mbylljen e restoranteve dhe kafeneve nga 4 nëntori, si një tentative për të parandaluar përhapjen e mëtejme të coronavirusit.
Në anën tjetër, numri i pacientëve që kanë humbur jetën në Ukrainë nga COVID-19, ka shkuar sot në 165, që është dita më e zezë që nga fillimi i pandemisë. Rekordi i mëparshëm i zi kishte ndodhur më 21 tetor, kur edhe humbën jetën 141 persona.
Shtabi i krizave në këtë vend ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 7.474 raste të reja, ku në total numëron 363.075 të infektuar dhe 6.755 të vdekur.
Në spitalet e Austrisë çdo herë e më shumë po ka pacientë të prekur me COVID-19, ku shtretërit në repartet e kujdesit intensiv janë zënë me numrin e madh të pacientëve. E gjatë shtatë ditëve të fundit, numri i pacientëve që janë shtrirë në repartet e kujdesit intensiv ka shkuar nga 40 për qind në 203.
Në Republikën Çeke gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 15.663 raste të reja me coronavirus, që është bilanci më i madh i rasteve të reja në këtë vend.
Të dhënat e Ministrisë çeke të Shëndetësisë, tregojnë se numri i përgjithshëm i rasteve të reja është rritur në 284.033, e i atyre që kanë humbur jetën në 2.547./Familjajonë/