ELITE Football Club këtë vit po përfaqëson akademinë në një nga turnetë më të njohura ndërkombëtare për grupmoshat e reja, IBERCUP Estoril 2026 në Portugali. Me gjeneratën U13 të vitit 2013, të përforcuar edhe me disa futbollistë të gjeneratës 2012, klubi synon jo vetëm paraqitje dinjitoze dhe rezultate pozitive, por edhe krijimin e një eksperience të vlefshme për zhvillimin sportiv dhe personal të lojtarëve.
Pjesëmarrja në një turne të tillë është një mundësi e rëndësishme për futbollistët e rinj që të matin forcat me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme, të krijojnë miqësi të reja dhe të fitojnë përvojë ndërkombëtare. Për ELITE FC, kjo pjesëmarrje është gjithashtu një dëshmi e përkushtimit të klubit për t’u ofruar fëmijëve mundësi zhvillimi, ekspozimi dhe rritjeje përtej kufijve vendorë.
Për të mësuar më shumë rreth këtij turneu, FamiljaJonë intervistuar trajnerin Flamur Asllanin.
Asllani na tregon se paraqitja e fëmijëve ishte shumë e kënaqshme gjatë gjithë ndeshjes dhe duke pasur parasysh se vetëm mbrëmë kanë arritur në Portugali dhe ndeshja u zhvillua herët në mëngjes, ata e përballuan shumë mirë këtë sfidë. Gjithashtu, duhet marrë parasysh se temperaturat dhe kushtet atmosferike në Portugali janë ndryshe nga ato me të cilat jemi mësuar të stërvitemi dhe të luajmë. Për një ndeshje të parë në këtë turne, reagimi dhe paraqitja e ekipit ishin shumë pozitive.
Tutje, ai na tregon se sa e rëndësishme ishte kjo përvojë për fëmijët që luajtën në Portugali. Ai thote se përvoja është pjesa më e rëndësishme e këtij turneu.
“Në këtë kompeticion marrin pjesë mbi 500 ekipe nga 55 shtete të ndryshme, me stile loje, kultura dhe nivele të ndryshme futbolli. Për disa nga fëmijët kjo ishte hera e parë në një turne të këtij niveli, ndërsa ne si klub kemi marrë pjesë edhe në vitin 2024. Pikërisht këto përvoja ndërkombëtare i ndihmojnë fëmijët të zhvillohen më shpejt, sepse përballen me kundërshtarë të ndryshëm dhe me një nivel shumë të lartë konkurrues”, shprehet Asllani.
Trajneri Asllani gjithashtu thote se më shumë sesa vet rezultati fitues që fëmijët arritën, përvoja është ajo që ka më shumë rëndësi.
“Rezultati ka rëndësinë e vet, por përvoja që fitohet në ndeshje të tilla është edhe më e vlefshme. Sot, për shembull, arritëm të shënonim tre gola të shpejtë dhe më pas fëmijët menaxhuan shumë mirë ritmin e lojës, mbajtjen e topit dhe kontrollin e ndeshjes. Edhe në momentet kur kundërshtari na ushtroi presion, ata ruajtën qetësinë dhe organizimin. Këto janë elemente që ndërtojnë futbollistët dhe japin rezultat në të ardhmen”, tregoi Asllani.
Në fund, Asllani u shpreh se mësimet nga ky turne janë të shumta pasiqë fëmijët po mësojnë të menaxhojnë temperaturat e larta, të përballen me kundërshtarë të panjohur nga vende me traditë të madhe në futboll, si Portugalia, si dhe me ekipe që kanë lojtarë nga kombësi të ndryshme. Gjithashtu, ritmi dhe intensiteti i ndeshjeve në këtë turne janë shumë të larta, ndaj ata po mësojnë të menaxhojnë energjinë, të marrin vendime të zgjuara gjatë lojës dhe të ruajnë përqendrimin deri në fund të ndeshjes. Këto janë përvoja që do t’u shërbejnë shumë në zhvillimin e tyre si futbollistë, sipas Asllanit.
Vlen të theksohet se të gjithë fëmijët pjesëmarrës në këtë turne janë të klubit Elite Football Club e cila gjendet në Prishtinë dhe trajnerët pjesëmarrës jane Flamur Asllani, Donat Merlaku dhe Bledar Maliqi.

Për detaje të tjera rreth klubit, ju mund të vizitoni rrjetet e tyre sociale duke klikuar në linkun poshtë.













