Enj, Maj 28, 2026
Banner Top
Banner Top
Në Ditën e Higjienës Menstruale, RrGK-ja rikujton se në Kosovë, produktet menstruale tatohen si mallra luksi dhe jo si produkte esenciale

Dita e Higjienës Menstruale shënohet globalisht më 28 maj për të theksuar rëndësinë e kujdesit menstrual dhe për t’i dhënë fund stigmës rreth menstruacioneve.

Sot me rastin e kësaj dite, organizata Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka rikujtuar se në Kosovë, produktet menstruale tatohen si mallra luksi dhe jo si produkte esenciale. Në lidhje me këtë, RrGK-ja ka theksuar se për gratë dhe vajzat, qasja në produktet menstruale nuk është vetëm çështje higjiene, por edhe çështje dinjiteti dhe mundësish.

“Kur këto produkte janë të shtrenjta ose të papërballueshme, ato mund të bëhen pengesë për arsimim, të kufizojnë pjesëmarrjen në jetën e përditshme dhe të thellojnë pabarazitë sociale dhe ekonomike. Megjithatë, në Kosovë, produktet menstruale tatohen si mallra luksi dhe jo si produkte esenciale.” është shprehur kjo organizatë.

Tute është thënë se kjo situatë shërbeu si pikënisje për punën e EkoKosWomen. Udhëtimi i tyre nisi me grante të vogla nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), që mbështetnin iniciativa si “Menaxhimi i higjienës menstruale: jetë e pastër për gra dhe vajza” dhe “Qasja në kujdes shëndetësor: investim në të ardhmen”.

Sipas RrGK-së, përmes këtyre iniciativave, EkoKosWomen punoi drejtpërdrejt me gra dhe vajza për të rritur ndërgjegjësimin mbi higjienën menstruale, shëndetin riprodhues dhe qasjen në shërbime shëndetësore, veçanërisht në komunitete që përballen me sfida sociale dhe ekonomike.

Mbi bazën e mbështetjes së RrGK-së, EkoKosWomen vazhdoi përpjekjet e saj të avokimit dhe hulumtimit, duke u bërë një nga organizatat e para në Kosovë që vuri në pah barrën financiare që sjellin produktet e higjienës menstruale për gratë, vajzat dhe familjet e tyre.

RrGK-ja ka shpejguar se hulumtimi i EkoKosWomen tregoi se heqja e taksave mbi këto produkte do të kishte ndikim minimal në të hyrat e qeverisë, pasi TVSH-ja dhe detyrimet doganore përbëjnë vetëm 0.065% të të hyrave vjetore doganore të Kosovës.

“Në të njëjtën kohë, kjo do të lehtësonte ndjeshëm barrën financiare për gratë dhe vajzat, do të përmirësonte menaxhimin e shëndetit menstrual dhe do të siguronte qasje më të barabartë në produkte esenciale të higjienës.” ka thënë kjo orgaizatë.

Sipas tyre, avokimi i EkoKosWomen kontribuoi gjithashtu që Komuna e Obiliqit të përfshijë një linjë buxhetore për produkte falas të higjienës menstruale në shkolla dhe institucione publike, duke ndihmuar kështu në përmirësimin e dinjitetit dhe qasjes për gratë dhe vajzat.

“Në Ditën e Higjienës Menstruale, historia e EkoKosWomen na kujton se investimi në nisma lokale të udhëhequra nga gratë mund të sjellë ndryshime të qëndrueshme për komunitete të tëra.” ka përmbyllur RrGK-ja.

Youtube

Arkiva

Kategoritë