Klinika e Onkologjisë ka reaguar ndaj raportimeve të fundit në media duke mohuar pretendimet se pacientët mbesin pa shërbime.
Përmes një njoftimi, nga kjo klinikë thuhet se asnjë pacient nuk ka mbetur pa terapinë e nevojshme dhe se trajtimi i pacientëve bëhet në përputhje me protokollet mjekësore në fuqi.
“Asnjë pacient nuk ka mbetur pa marrë terapinë e nevojshme dhe të gjithë pacientët janë trajtuar në përputhje me protokollet mjekësore në fuqi. Pretendimet se pacientët mbesin pa shërbime jetike nuk qëndrojnë dhe nuk pasqyrojnë realitetin në klinikë”, thuhet në reagim.
Sipas Klinikës së Onkologjisë, shërbimet ofrohen me kapacitete të plota dhe në kushte adekuate për trajtim.
Aktualisht, klinika disponon mbi 110 shtretër ambulatorë funksionalë, të cilët shfrytëzohen njëkohësisht për trajtimin e pacientëve gjatë orarit të punës.
Në reagim theksohet se kjo klinikë përfaqëson të vetmin institucion në rajon me këtë nivel kapaciteti që ofron shërbime të plota në sektorin publik, duke përballuar një numër të madh pacientësh çdo ditë.
“U bëjmë thirrje medieve dhe opinionit publik që të shmangin dezinformimin dhe të kontribuojnë në informim të drejtë dhe të balancuar. Klinika mbetet e hapur për transparencë dhe bashkëpunim me të gjitha palët”, thuhet tutje në njoftim.












