Sht, Mar 28, 2026
Banner Top
Banner Top
Ndikimi i agjërimit të Ramazanit te pacientët me diabet – Intervistë me endokrinologun/internistin, Dr. Genc Shala

Shkruan: Krenare Hoti

Muaji i Ramazanit është një periudhë shumë e rëndësishme shpirtërore për besimtarët myslimanë, por për personat që vuajnë nga sëmundje kronike, si diabeti, agjërimi mund të sjellë edhe sfida shëndetësore.

Menaxhimi i nivelit të sheqerit në gjak, përdorimi i medikamenteve dhe mënyra e ushqyerjes gjatë kësaj periudhe kërkojnë kujdes të veçantë dhe këshillim profesional.

Për të kuptuar më mirë se si ndikon agjërimi tek pacientët me diabet dhe cilat masa duhet të ndërmerren për ta bërë atë sa më të sigurt, kemi zhvilluar një intervistë me endokrinologun/internistin Dr. Genc Shala, i cili ndan këshilla dhe rekomandime të rëndësishme për pacientët gjatë muajit të Ramazanit.

Fillimisht, Dr. Shala na tregon se në parim të gjithë personat me diabet mund të agjërojnë, por që rekomandohet që para fillimit të agjërimit të bëjnë kontrolle te endokrinologët e tyre dhe specialistët e tjerë nësë kanë sëmundje përcjellëse (si tension të lartë të gjakut, etj.).

Dr. Shala potencon se së bashku me endokrinologun duhet të bëhet një plan se si të merren apo ndërrohen medikamentet gjatë agjërimit në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i agjëruesit. Pra, në përgjithësi nuk ndalohet agjërimi por duhet të bëhet përshtatja e medikamenteve dhe të informohen për mënyrën dhe llojet e ushqimit si dhe per rreziqet e mundshme dhe tejkalimin e tyre.

Sa i përket rreziqeve që mund t’i hasin diabetikët gjatë agjërimit, endokrinologu thekson rënien e madhe të glikemisë apo ndonjëherë edhe ngritje të madhe të glikemisë, dehidrimin, trombozen e enëve të gjakut, etj. Këto rreziqe varen edhe nga sëmundjet përcjellëse, mosha, shtatzania, profesioni, etj.

Tutje, mjeku tregon se agjërimi ka ndikim edhe në nivelin e gjakut tek diabetikët.

“Agjërimi mund të zvogëlojë apo të ngrit shumë nivelin e sheqerit. Në përgjithësi agjërimi ndikon pozitivisht, jo vetem në nivel të sheqerit, por edhe ne shëndetin e njerit në përgjithësi”, thekson Dr. Shala.

Gjatë intervistës për FamiljaJonë, mjeku gjithashtu thekson se është e rëndësishme që të konsultoheni me endokrinologun tuaj para fillimit të agjërimt dhe të bëhen analizat laboratorike për të parë gjendjen e përgjithme të organizmit.

Krejt në fund, Dr. Shala na tregon se kur duhet ta ndërpresin diabetikët agjërimin.

“Shenjat që mund të sjellin të ndërprerja e përkohshme e agjërimt janë përkeqesimi i shëndetit në përgjithësi, rraskapitja, dehidrimi që rrezikon rritjen e tepruar të sheqerit në gjak (mbi 16 mmol/L) apo trombet në ene të gjakut, marramendja, alivanosja, renia e sheqerit nën 4.0 mmol/l, mundim apo vjellje, etj.”, thekson mjeku.

Si përfundim, agjërimi për personat me diabet mund të realizohet në mënyrë të sigurt vetëm me këshillim dhe mbikëqyrje mjekësore, duke respektuar rekomandimet e specialistëve për ruajtjen e shëndetit gjatë muajit të Ramazanit.

Youtube

Arkiva

Kategoritë