Në shënim të 3 marsit, Ditës Botërore të Dëgjimit, të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO), Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka bërë thirrje për rritjen e kujdesit ndaj shëndetit të veshit dhe kontrollin e hershëm të problemeve me dëgjimin.
Në këtë thirrje, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka rikujtuar se dëgjimi është thelbësor për komunikim, zhvillim dhe cilësi jete duke theksuar se humbja e dëgjimit mund të parandalohet në shumë raste përmes: shmangies së zhurmave të larta, përdorimit të kufjeve me volum të moderuar, trajtimit në kohë të infeksioneve të veshit dhe kontrollave të rregullta mjekësore.
Gjithashtu, qytetarët janë ftuar të shfrytëzojnë shërbimet që ofron Spitali i Përgjithshëm në Pejë për çështjet që lidhen me dëgjimin.
“Në kuadër të shërbimeve tona, qytetarët mund të drejtohen në Repartin e ORL-së për konsultë specialistike. Nëse keni vështirësi në dëgjim, zhurmë në vesh apo ndjesi bllokimi, mos e neglizhoni – konsultohuni me mjekun. Dëgjimi është pasuri – ruajeni!” – ka theksuar Spitali i Përgjithshëm në Pejë.













