Mehreme Goliqi nga komuniteti Ashkali është emëruar nënkryetare e dytë e Komunës së Lipjanit.
Teksa Goliqi ka shprehur mirënjohjen për të parin e kësaj komune ajo ka theksuar se ky është rasti i parë në Kosovë.
“Është historike dhe rasti i parë në Kosovë që nënkryetare e dytë për komunitete emërohet një vajzë e re nga komuniteti Ashkali, dhe për këtë e falenderoj Kryetarin Imri Ahmeti për besimin që pati në mua, dhe asamblistët që më besuan këtë detyrë duke më votuar.” – ka shkruar Goliqi.
“Si një e re që në këtë detyrë vjen nga tereni, nga puna e vullnetarizmit dhe nga angazhimi me njerëzit tanë, besoj fuqishëm se do të kontribuoj në komunitetet tona në mënyrat më adekuate.” – ka shtuar ajo.
Tutje Goliqi i ka inkurajuar të rinjtë tjerë që t’i ndjekin ëndrrat e tyre.
“U bëj thirrje të rinjve tanë që t’i ndjekin ëndrrat e tyre, të punojnë për të ardhmen pa u ngopur kurrë nga lodhja, sepse me të vërtetë vjen një ditë që puna dhe vullneti i mirë shpërblehet.” – ka përmbyllur Goliqi.
Mbështetjen për emërimin e Goliqit në këtë pozitë e ka shprehur edhe organizata Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve – VoRAE.
“Suksesi i saj dëshmon se investimi në arsim dhe përkrahja e vazhdueshme krijojnë liderë të rinj dhe ndryshim real në shoqëri.Urime Mehreme për këtë arritje të merituar – rrugëtimi yt është frymëzim!” – ka shkruar VoRAE.













