Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar se për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut është krijuar një situatë e cila paraqet rrezik në disa zona.
Mirëpo, sipas tij, ekipet e emergjencës së Komunës së Deçanit kanë qenë pandërprerë në terren, veçanërisht në Carrabreg të Ulët, Prilep, Baballoq, Ratishë të Ulët, Dubovik dhe në qytet.
Ramosaj tutje u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjen në zonat e rrezikuara dhe të raportojnë çdo problem apo rrezik të mundshëm tek autoritetet komunale duke thekuar se sipas parashikimeve meteorologjike, pritet të ketë reshje të tjera shiu, të cilat mund ta vështirësojnë gjendjen, veçanërisht në zonat e ndjeshme ndaj vërshimeve dhe rrëshqitjeve të dheut.


“Gjendja aktuale nuk është shqetësuese, por mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Kompania “Lika Trade”, e kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, ka intervenuar në pikat problematike, ndërsa NPL “Higjiena”, Njësia e Zjarrfikësve dhe kompania “Hidrodrini” janë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme.” ka shkruar Ramosaj në profilin e tij zyrtar në Facebook.















