Autoritetet e Sarajevës lëshuan një paralajmërim për cilësinë e ajrit dhe vendosën ndalimin e disa makinave dhe kamionëve të mërkurën pasi qyteti u rendit si më i ndoturi në botë dy netët e mëparshme nga kompania zvicerane për monitorimin e cilësisë së ajrit IQAir, raporton Reuters.
Qeveria kantonale e Sarajevës ndërmori masa pasi cilësia e ajrit në kryeqytetin boshnjak arriti nivele të rrezikshme pas disa ditësh mjegulle dhe smogu që kanë mbuluar qytetin me rreth 350,000 banorë.
Kryeqendra ka ndaluar kamionët mbi 3.5 ton dhe makinat dhe kamionët që nuk plotësojnë standardet e vendosura nga Bashkimi Evropian për të qarkulluar në qytet dhe u ndaluan punimet ndërtimore në hapësira të hapura. Po ashtu u ndaluan edhe tubimet publike në ambient të hapur.
Ekspertët thonë se burimet kryesore të ndotjes janë rreth 40,000 familje që përdorin kryesisht dru zjarri dhe qymyr për ngrohje dimërore dhe transporti.
Vetëm 500 familje kanë marrë soba gazi falë ndihmës ndërkombëtare, tha Anes Podic nga organizata mjedisore Eko Akcija, duke shtuar se në Sarajevo janë të regjistruara 180,000 automjete.
Inversioni i temperaturës
Qyteti, i vendosur në një luginë të rrethuar nga male dhe kodra, ka vuajtur gjatë nga një fenomen i njohur si inversion i temperaturës, i cili shtyn ajrin më të ftohtë dhe ndotësit nga automjetet dhe karburantet fosile më afër tokës. I përzier me mjegull, mund të qëndrojë për ditë të tëra.
Bosnja ka ndër nivelet më të larta të ndotjes me grimca të imëta (PM2.5) në Europë, ku djegia e karburantit të ngurtë për ngrohje shtëpiake dhe sektori i transportit kontribuojnë rreth 50% dhe 20% respektivisht, sipas Bankës Botërore.
Enis Krecinic, ekspert në Institutin Hidro-Meteorologjik të federatës autonome Boshnjak-Kroate, tha se sasia e lejuar e PM2.5 ishte tejkaluar mbi 100 ditë në vit.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bosnja ka shkallën e pestë më të lartë të vdekshmërisë nga ndotja e ajrit në botë.
Banka Botërore vlerëson se ndotja e ajrit me PM2.5 shkakton 3,300 vdekje të parakohshme çdo vit dhe humbjen e mbi 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në Bosnje.
Aida Forto, specialiste e mushkërive, tha se ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit, dhe veçanërisht ndaj grimcave të imëta, mund të kontribuojë në kancer të mushkërive dhe është veçanërisht i rrezikshëm për gratë shtatzëna, fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. /Reuters/













