Die, Pri 5, 2026
Banner Top
Banner Top
A e riparon shamponi dëmtimin e flokëve? Mos u besoni këtyre katër miteve të kujdesit për flokët

Të gjithë duam flokë që duken dhe ndihen të shëndetshëm, qofshin me volum dhe të ndritshme, kaçurrela me volum apo fije të drejta e të buta, raporton BBC.

Në një industri me vlerë 5.8 miliardë paund vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, ka pafund produkte, trende dhe “hacks” nga TikTok-u, gjë që e bën të lehtë të humbasësh nga sytë bazat e vërteta të kujdesit për flokët.

E vërteta është se flokët e shëndetshëm nuk kanë të bëjnë me shpenzime të mëdha apo rutina të ndërlikuara – por me bërjen e gjërave të thjeshta siç duhet.

Trikologet Eva Proudman nga UK Hair Consultants dhe Tracey Walker nga Hair and Scalp Clinic, hedhin poshtë katër mite të zakonshme për kujdesin ndaj flokëve.

1. Uji i ftohtë nuk i bën flokët më të ndritshëm

A keni ngrirë ndonjëherë në dush me ujë akull për hir të flokëve më me shkëlqim?

Për fat të mirë, mund ta ndaloni këtë praktikë dhe të shijoni një larje të ngrohtë e të rehatshme, sepse sipas Proudman, uji i ftohtë nuk shton asnjë shkëlqim shtesë tek flokët.

“Nuk ka nevojë të lash flokët me ujë të akullt sepse nuk bën asgjë,” thotë ajo. “Më e rëndësishme është si i mbron flokët nga kimikatet, nxehtësia dhe mjedisi ku jeton.”

Ajo shton se nuk duhet t’i lash as me ujë shumë të nxehtë, sepse kjo mund t’i dehidratojë flokët dhe të djegë lëkurën e kokës, ashtu siç djeg uji i nxehtë lëkurën e trupit.

2. Asnjë produkt nuk mund të riparojë flokët e dëmtuar

Nëse shpreson të rregullosh majat e çara pa shkuar tek parukierja, do të zhgënjehesh – prerja është e vetmja zgjidhje.

Proudman shpjegon se një majë e çarë është si një “rjetë çorapesh e grisur” – nuk ka asnjë mënyrë për ta riparuar.

Walker shton: “Nëse e sheh flokun nën mikroskop, duket sikur është copëtuar në dy ose tre pjesë.”

Ajo thotë se produktet në treg veprojnë si “ngjitës” që e mbajnë përkohësisht bashkë, duke e bërë të duket më mirë.

Por janë vetëm zgjidhje të përkohshme, dhe ajo paralajmëron të mos shpenzoni shumë për produkte që premtojnë “riparim”.

Proudman shton gjithashtu se ideja që prerja e flokëve i bën të rriten më shpejt është mit.

“Nuk është e mundur të bësh flokët të rriten më shpejt, çdo produkt që pretendon këtë, po gënjen.”

3. Flokët nuk pastrohen vetë

Mund të keni dëgjuar dikë që pretendon se ka “stërvitur” flokët e tij të pastrohen vetë, duke i larë shumë rrallë ose aspak.

Por Proudman thotë se kjo është shumë e dëmshme për flokët: “Lëkura e kokës ka rreth 180,000 gjendra vajore dhe mbledh papastërti nëse nuk lahet rregullisht.”

Walker e krahason këtë me rrobat: “Nuk mund të heqësh një njollë vaji vetëm me ujë – të duhet detergjent.”

Moslarja e flokëve rregullisht mund të shkaktojë erë të keqe dhe përkeqësim të problemeve si zbokthi, sepse “flokët e vajosur krijojnë mjedis ku shumohen maja dhe bakteret, duke shkaktuar kruarje dhe irritim.”

Proudman rekomandon larjen e flokëve çdo dy ditë nëse ke flokë shumë të yndyrshëm ose përdor shumë produkte.

Laura Waters, profesoreshë e Analizës Farmaceutike në Universitetin e Huddersfield, shton se për flokët shumë të yndyrshëm mund të nevojitet shampo me fuqi më pastruese, ndërsa ata me flokë të thatë mund të përdorin shampo pa sulfate, më të shtrenjtë, por që nuk heq vajrat natyralë.

4. Dry shampoo nuk zëvendëson larjen

Midis punës, palestrës dhe planeve sociale, nuk është gjithmonë e lehtë të gjesh kohë për një larje, tharje dhe stilim të plotë, prandaj shumë prej nesh përdorim shampo të thatë për të “ringjallur” rrënjët e yndyrshme.

Proudman thotë se shampoja e thatë është “krejt në rregull”, por duhet përdorur vetëm një herë midis larjeve.

Problemi lind kur e përdor disa ditë me radhë pa e larë flokun.

“Vaji natyral i lëkurës së kokës përthithet në shampoon e thatë dhe maja ushqehet nga ky grumbullim,” shpjegon ajo.

“Nëse nuk kujdesesh, do të përfundosh me kruarje dhe zbokth.”

Në fund, ajo këshillon të kujdesesh për lëkurën e kokës njësoj si për fytyrën tënde, nuk do të vazhdoje të vendosje grim pa pastruar dhe larë fytyrën më parë, apo jo? /BBC/

Youtube

Arkiva

Kategoritë