Një ndërhyrje e suksesshme është kryer në Klinikën e ORL-së në QKUK, ku një fëmijë 2-vjeçar i është shpëtuar jeta pas largimit të një trupi të huaj nga rrugët e frymëmarrjes, raporton Gazeta Shneta.
Kështu ka bërë të ditur Dr. Kujtim Kastrati, otorinolaringolog në Klinikën e ORL-së, ku shpjegoi se fëmija ishte paraqitur fillimisht në Klinikën Infektive me vështirësi në frymëmarrje dhe kollë të vazhdueshme, pas një jave trajtimi ambulator pa përmirësim. Me përkeqësimin e gjendjes, mjekët në Infektiv kanë filluar trajtimin me antibiotikë dhe oksigjenoterapi, por është konstatuar se shkaku ishte një kokërr kikiriku e mbetur në rrugët e frymëmarrjes.
Ekipi mjekësor që realizoi ndërhyrjen ishte i udhëhequr nga Dr. Kujtim Kastrati dhe Dr. Besian Gashi, në koordinim me drejtorin e klinikës Dr. Arsim Behramaj, instrumentaren Mira dhe ekipin e anestezionit të udhëhequr nga Dr. Shpresa Hasimja.
Dr. Kastrati falënderoi të gjithë stafin për profesionalizmin dhe bashkëpunimin në këtë rast jetik, duke bërë edhe një apel për prindërit që të kenë kujdes me fëmijët e vegjël dhe të shmangin dhënien e ushqimeve si kikirikët, farat apo objekte të tjera të vogla që mund të shkaktojnë bllokim të rrugëve të frymëmarrjes dhe të rrezikojnë jetën e fëmijëve.













