Zgjerimi i vaksinimit kundër HPV-hap i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit publik
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar rekomandimin e Komitetit Profesional Këshillues për Imunizim (KPKI), për zgjerimin e grup-moshave për vaksinim kundër Human Papilloma Virusit (HPV).
Sipas njoftimit, ky vendim synon rritjen e mbrojtjes së popullatës ndaj infeksioneve me HPV, parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, si dhe uljen e rrezikut nga kanceret e tjera të lidhura me HPV tek të dy gjinitë.
Sipas njoftimit, vaksinimi kundër HPV do të ofrohet në mënyrë vullnetare për të rinjtë deri në moshën 26 vjeç, të cilët nuk janë vaksinuar më parë.
Ndërkaq, personat e moshës 26 deri në 45 vjeç mund të vaksinohen vetëm me rekomandim të mjekut, bazuar në vlerësimin individual të rrezikut dhe përfitimit. Vaksinimi rutinë për fëmijët 11–12 vjeç do të vazhdojë sipas kalendarit të rregullt të imunizimit.
IKSHPK-ja ka theksuar se HPV është një ndër shkaktarët kryesorë të kancerit të qafës së mitrës, ndërsa vaksina ofron mbrojtje ndaj tipeve më të rrezikshëm të virusit dhe redukton ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e lezioneve para-kanceroze dhe kancerit.
Sipas njoftimit, aksina për grupmoshat e përfshira do të jetë e disponueshme në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike në të gjithë vendin.
Aty tutje është theksur se zgjerimi i vaksinimit pritet të sjellë:
• ulje të rasteve të kancerit të qafës së mitrës dhe kancereve tjera të lidhura me virusin;
• mbrojtje më të gjerë për të rinjtë;
• reduktim të kostove të trajtimit në të ardhmen;
• përmirësim të përgjithshëm të shëndetit të popullatës.
“IKShPK inkurajon të gjithë prindërit, të rinjtë dhe qytetarët që të informohen dhe të konsultohen me profesionistët shëndetësorë për vaksinimin kundër HPV. Vaksinimi është një nga mënyrat më efektive për të parandaluar sëmundje serioze dhe për të mbrojtur shëndetin individual dhe atë të komunitetit.” ka bërë thirrje IKSHPK-ja.













