Një spital në Mbretërinë e Bashkuar ka shpallur gjendje kritike dhe ka kufizuar shërbimet vetëm për rastet që rrezikojnë jetën, pasi po përballet me rritje të ndjeshme të kërkesave për kujdes shëndetësor si pasojë e valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin.
Spitali East Surrey njoftoi të hënën se shërbimet emergjente do të vazhdojnë të funksionojnë, por përparësi do t’u jepet vetëm pacientëve me gjendje të rënda dhe kërcënuese për jetën.
Zyrtari kryesor mjekësor i Surrey and Sussex Healthcare NHS Trust, Ed Cetti, u bëri thirrje qytetarëve që të paraqiten në spital vetëm në raste emergjente, ndërsa për problemet jo urgjente të kërkojnë ndihmë në farmaci, te mjekët familjarë ose në qendrat shëndetësore lokale.
Sipas drejtuesve të spitalit, masa është ndërmarrë për të garantuar vazhdimësinë e ofrimit të kujdesit të sigurt dhe cilësor për pacientët, në kushtet e rritjes së ngarkesës në shërbimet shëndetësore.
Temperaturat në jug të Anglisë kanë arritur deri në 34 gradë Celsius, ndërsa Agjencia për Siguri Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) ka lëshuar alarm të kuq për shëndetin në gjashtë rajone të Anglisë.
Sipas autoriteteve shëndetësore, alarmi i kuq sinjalizon rrezik serioz për shëndetin dhe jetën, jo vetëm për grupet e cenueshme, por edhe për personat e shëndetshëm.
Ekspertët u kanë rekomanduar qytetarëve të konsumojnë sa më shumë ujë, të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të mbajnë ambientet e banimit sa më të freskëta.
Valët ekstreme të të nxehtit po ndikojnë gjithashtu edhe në vende të tjera evropiane, përfshirë Spanjën, Francën, Belgjikën, Holandën, Italinë, Zvicrën dhe Gjermaninë. Në Francën jugperëndimore, autoritetet raportuan një rritje prej 20 për qind të thirrjeve emergjente gjatë fundjavës krahasuar me periudhat normale.













