Një terapi e avancuar për kancerin e prostatës mund të jetë po aq efektive sa kirurgjia ose radioterapia, por me një rrezik pesë herë më të ulët për efekte anësore, sipas një studimi të ri të realizuar nga Imperial College London.
Bëhet fjalë për terapinë fokale, e cila trajton vetëm zonën e prekur nga tumori, duke kufizuar dëmtimin e indeve të shëndetshme të prostatës, si dhe të nervave dhe muskujve që kontrollojnë urinimin dhe funksionin seksual.
Studimi përfshiu 3,477 burra të trajtuar me terapi fokale. Një pjesë e pacientëve iu nënshtruan ultrazërit të fokusuar me intensitet të lartë (HIFU), i cili përdor nxehtësinë për të shkatërruar tumorin, ndërsa të tjerët u trajtuan me krioterapi, që përdor temperatura shumë të ulëta për të ngrirë dhe eliminuar qelizat kancerogjene.
Rezultatet pas dhjetë vjetësh treguan se vetëm 0.13 për qind e pacientëve kishin vdekur nga kanceri i prostatës, ndërsa te 3.3 për qind sëmundja ishte përhapur në pjesë të tjera të trupit.
Sipas studiuesve, këto rezultate janë të krahasueshme me ato të kirurgjisë ose radioterapisë, por terapia fokale shoqërohet me një rrezik shumë më të ulët për komplikime si mosmbajtja e urinës, mosfunksionimi erektil dhe problemet me rektumin.
Megjithatë, terapia nuk është ende gjerësisht e disponueshme në Mbretërinë e Bashkuar. Për shkak të mungesës së të dhënave afatgjata deri më tani, ajo ofrohet vetëm në disa qendra të specializuara të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (NHS), kryesisht në Londër dhe juglindje të Anglisë. Pacientët që nuk mund ta marrin trajtimin në NHS ose nuk kanë sigurim privat mund të paguajnë rreth 15 mijë paund për një cikël trajtimi.
Organizata Prostate Cancer UK i ka bërë thirrje Institutit Kombëtar për Shëndetin dhe Kujdesin e Shkëlqyer (NICE) që t’i shqyrtojë me urgjencë rezultatet e studimit dhe ta miratojë terapinë fokale për përdorim më të gjerë.
Ish-kryeministri britanik David Cameron, i cili është trajtuar me një formë të avancuar të kësaj terapie, tha se pati fatin të kishte qasje në një trajtim që uli ndjeshëm rrezikun e efekteve anësore.
“Isha me fat që pata mundësinë të trajtohesha me një terapi fokale më të avancuar, e cila e zvogëloi rrezikun e efekteve anësore që mund ta ndryshojnë jetën. Aktualisht, shumë burra nuk e kanë këtë mundësi dhe kjo nuk është e drejtë”, deklaroi ai, duke bërë thirrje që trajtimet moderne të jenë të qasshme për të gjithë pacientët.
Kanceri i prostatës është forma më e zakonshme e kancerit te burrat. Çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar diagnostikohen mbi 60 mijë raste të reja. Në shumicën e rasteve, pacientëve u ofrohet kirurgjia ose radioterapia, të cilat janë efektive, por mund të shkaktojnë pasoja afatgjata, si mosmbajtja e urinës dhe problemet me funksionin seksual.
Sipas vlerësimeve, rreth gjysma deri në dy të tretat e pacientëve me kancer të lokalizuar të prostatës mund të jenë kandidatë për terapi fokale, megjithatë aktualisht vetëm rreth një mijë burra në vit e marrin këtë trajtim në Britani.
Drejtoresha për shërbimet shëndetësore dhe barazinë në Prostate Cancer UK, Amy Rylance, i cilësoi rezultatet si një zhvillim të rëndësishëm për pacientët.
“Efektet anësore si mosmbajtja e urinës ose problemet seksuale mund të jenë shkatërruese. Ky është studimi i parë afatgjatë që tregon se shumë burra mund t’i shmangin ato pa e rritur rrezikun e rikthimit të kancerit”, tha ajo.
Edhe profesori Hashim Ahmed, drejtues i urologjisë në Imperial College Healthcare NHS Trust, vlerësoi se studimi konfirmon se terapitë fokale, si HIFU dhe krioterapia, ofrojnë kontroll të ngjashëm të kancerit me trajtimet tradicionale, por me dukshëm më pak efekte anësore.
Studiuesit shpresojnë se këto rezultate do të ndikojnë në miratimin e terapisë nga NICE dhe në zgjerimin e saj në më shumë qendra shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar.













