Hën, Kor 20, 2026
Banner Top
Banner Top
Nga diagnoza te trajtimi: Si përcaktohet terapia e duhur për pacientët me kancer?

I ftuar në emisionin “Familja Jonë”, onkologu Dr. Arben Bislimi ka folur për rrugëtimin e pacientëve me kancer, nga momenti i diagnostikimit deri te zgjedhja e trajtimit më të përshtatshëm. Ai ka shpjeguar mënyrën se si krijohet kanceri, si funksionojnë terapitë moderne dhe pse sot trajtimi nuk mund të jetë i njëjtë për të gjithë pacientët.

Sipas Dr. Bislimit, kanceri zhvillohet kur qelizat e trupit pësojnë ndryshime që i bëjnë ato të shumohen në mënyrë të pakontrolluar. Megjithatë, kanceri nuk është një sëmundje e vetme, por një grup i madh sëmundjesh me karakteristika të ndryshme, prandaj edhe trajtimi duhet të përshtatet për secilin pacient.

“Nuk ka terapi për kancer që jepet njësoj për të gjithë”, është një nga mesazhet kryesore të onkologut, i cili thekson rëndësinë e analizave të detajuara përpara se të vendoset plani i trajtimit.

Kimioterapia, imunoterapia dhe target terapia

Duke folur për mundësitë e trajtimit, Dr. Bislimi ka shpjeguar se kimioterapia vepron duke synuar qelizat që shumohen shpejt, ndërsa imunoterapia ndihmon sistemin imunitar të pacientit që të luftojë më mirë qelizat kancerogjene.

Ai ka theksuar se imunoterapia nuk përdoret për çdo lloj kanceri dhe vendimi për përdorimin e saj varet nga karakteristikat e tumorit dhe rezultatet e analizave.

Një tjetër mundësi moderne është target terapia, e cila synon ndryshime specifike në qelizat tumorale. Për shembull, te pacientet me kancer gjiri, analiza të veçanta mund të tregojnë nëse një paciente është kandidate për këtë lloj trajtimi.

Analizat që përcaktojnë trajtimin

Një nga hapat më të rëndësishëm pas diagnozës është vlerësimi i profilit të tumorit. Analizat molekulare dhe gjenetike mund t’u japin mjekëve informacion të rëndësishëm për të zgjedhur terapinë që ka më shumë gjasa të jetë efektive.

Sipas Dr. Bislimit, vendimi nëse pacienti duhet të fillojë me operim, kimioterapi, imunoterapi apo një kombinim të tyre nuk merret në mënyrë të njëjtë për të gjithë.

“Rruga e trajtimit” përcaktohet nga disa faktorë, përfshirë llojin e kancerit, fazën e sëmundjes, karakteristikat e tumorit dhe gjendjen e përgjithshme të pacientit.

Efektet anësore dhe cilësia e jetës gjatë trajtimit

Gjatë intervistës, Dr. Bislimi ka folur edhe për efektet anësore të terapive kundër kancerit. Ai ka sqaruar se edhe trajtimet moderne, si imunoterapia dhe target terapia, mund të shoqërohen me efekte të padëshiruara, por ato ndryshojnë nga pacienti në pacient.

Një nga shqetësimet më të shpeshta të pacientëve, sidomos grave që marrin kimioterapi, është rënia e flokëve. “A do të më bien flokët?” është shpesh një nga pyetjet e para që bëjnë pacientet pas fillimit të trajtimit.

Sot, në disa raste, përdoren edhe kapela ftohëse që mund të ndihmojnë në reduktimin e rënies së flokëve gjatë kimioterapisë, duke ndikuar pozitivisht edhe në aspektin emocional të pacientëve.

Përgatitja psikologjike, pjesë e rëndësishme e trajtimit

Përveç trajtimit mjekësor, Dr. Bislimi ka theksuar rëndësinë e përgatitjes emocionale të pacientëve.

Diagnoza e kancerit është një përvojë e vështirë dhe mbështetja psikologjike që në fillim të trajtimit mund t’i ndihmojë pacientët të përballojnë më mirë ndryshimet fizike dhe emocionale që sjell sëmundja.

Sipas tij, kontakti me psikologun klinik në Klinikën Onkologjike është një hap i rëndësishëm për pacientët e rinj me kancer.

Sëmundjet e tjera dhe ndikimi në trajtim

Dr. Bislimi ka folur edhe për pacientët që, përveç kancerit, kanë sëmundje të tjera shoqëruese. Ai ka shpjeguar se gjendja e përgjithshme shëndetësore është një faktor i rëndësishëm gjatë planifikimit të trajtimit, pasi disa probleme të tjera shëndetësore mund të ndikojnë në zgjedhjen dhe monitorimin e terapive.

Teknologjitë e reja në luftën kundër kancerit

Në intervistë është diskutuar edhe për biopsinë e lëngshme, një metodë moderne që analizon materialin gjenetik të tumorit përmes gjakut. Kjo teknologji mund të ndihmojë në monitorimin e sëmundjes dhe në përshtatjen e trajtimit në të ardhmen.

Në fund, Dr. Bislimi ka folur edhe për parandalimin e kancerit, duke theksuar se nuk ekziston një vaksinë që parandalon të gjitha llojet e kancerit, por disa vaksina, si ajo kundër HPV-së, mund të ulin rrezikun për disa forma të sëmundjes.

Youtube

Arkiva

Kategoritë