Sot Gjykata e Prishtinës ka shpallur fajtor tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq u dënuan me burgim të përjetshëm, kurse, i akuzuari u dënua me 30 vjet burgim.
Sulmi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit ndodhi më 24 shtator të vitit 2023 ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku kurse disa zyrtarë të tjerë policorë pësuan lëndime.
Po ashtu, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues kurse sulmuesit tjerë ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës.
Ndërkaq, përgjegjësinë për këtë sulm e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherit kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka cilësuar se vendim i sotëm është dëshmi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës, ndaj rendit kushtetues dhe ndaj sigurisë së vendit tonë nuk do të mbetet pa ndëshkim.
“Megjithatë, drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit në krye me terroristin Millan Radoiqiq të dalin para drejtësisë.” ka shtuar Haxhiu.
Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një reagimi me shkrim në profilin e tij kërkoi dënim maksimal edhe për të tjerët e përfshirë në këtë sulm e që janë identifikuar në krye me Milan Radojçiq.
“Në këtë ditë të rëndësishme për drejtësinë e Republikës së Kosovës, vendimi për sulmin terrorist në Banjskë duhej dhe duhet të reflektojë vetëm një standard: dënime maksimale për të gjithë të përfshirët. Ky standard duhet të vlejë për secilin pjesëtar si pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë prej 45 personash të identifikuar, pa përjashtim.” ka shkruar Sveçla.
Tutje ai ka thënë se ky vendim duhet të jetë një mesazh i qartë: kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj, do të përballet me drejtësinë.
“Dënimi nuk e kthen heroin Afrim Bunjaku, por është një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe për dhimbjen që mbetet te familja, kolegët dhe gjithë qytetarët tanë.” është shprehur Sveçla.













