Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në mbledhjen komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të Akademik Rexhep Qosjes, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Siç ka njoftuar Qeveria e Kosovës, Kurti gjatë fjalimit të tij ka e ka quajtur Qosjenmodel të intelektualit publik.
“Rexhep Qosja ishte modeli i intelektualit publik. Puna e tij shkencore ishte e pandarë nga angazhimi për identitetin kombëtar, shtetësinë e Kosovës dhe bashkimin shqiptar.” njoftohet të ketë thë Kurti.
Sipas Kurtit, studimet e Qosjes për Rilindësit, sidomos vepra “Porosia e Madhe”, kushtuar poetit Naim Frashërit, apo studimet për Asdrenin e të tjera, ndihmuan jashtëzakonisht shumë në formimin kombëtar të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi.
Kreu i ekzekutivit tutje ka shtuar se studimet e Rexhep Qosjes dhe të kolegëve të tij për gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin shqiptar, përgatiten dy breza të shqiptarëve për përballjen politike dhe shoqërore që do të vinte në dekadat 1980 e më pas 1990, për mbrojtjen e të drejtave dhe të dinjitetit kombëtar.
“Kur nisi shpërbërja e Jugosllavisë dhe u shtua shtypja mbi shqiptarët, Rexhep Qosja u bë zëri më i spikatur akademik e intelektual shqiptar. Ai denoncoi në shtypin jugosllav dhe ndërkombëtar gënjeshtrat dhe propagandën e atyre intelektualëve serbë, që do të shkruanin e përkrahnin memorandumin famëkeq të akademisë serbe nga viti 1986 dhe që përgatitën terrenin për gjenocidet, që Serbia do t’i ndërmerrte në vitet e ’90-ta. ” është shprehur Kurti.
Sipas njoftimit, ai githashtu ka cilësuar se Qosja frymëzoi breza studentësh, i dha guxim e zë drejtësisë së protestave studentore të vitit 1981, që u bënë edhe demonstrata gjithëpopullore, e madje posaçërisht kur vala e tyre dukej se kishte rënë.
Fjalimi i plotë i Kryeministri Albin Kurti është publikuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Akademiku Rexhep Qosja ka vdekur të enjten e 23 prillit në moshën 89-vjeçare.
Për këtë kanë njoftuar familjarët e tij duke treguar se varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.













