Gratë shtatzëna që vendosin të ndërpresin ilaçet kundër depresionit përballen me pothuajse dyfish rrezik për probleme serioze të shëndetit mendor, krahasuar me ato që vazhdojnë trajtimin.
Kjo është ajo që tregon një studim i ri i prezantuar në një konferencë mjekësore në Shtetet e Bashkuara.
Sipas studiuesve, gratë që ndalojnë marrjen e ilaçeve gjatë shtatzënisë kanë më shumë gjasa të përjetojnë mendime vetëvrasëse, çrregullime të rënda mendore apo situata të rrezikshme si mbidoza nga substanca të ndryshme.
Studimi analizoi të dhënat e rreth 4 mijë grave që kishin lindur gjatë viteve 2023 dhe 2024 dhe që para shtatzënisë ishin trajtuar për depresion ose ankth.
Një pjesë e tyre vazhdoi terapinë, ndërsa të tjera e ndërprenë për disa muaj ose krejtësisht.
Rezultatet treguan se rreziku për përkeqësim të gjendjes mendore ishte dukshëm më i lartë tek ato që ndaluan ilaçet, veçanërisht në muajin e parë dhe në fund të shtatzënisë.
Ekspertët theksojnë se problemet e shëndetit mendor janë ndër shkaqet kryesore të vdekjeve të nënave në SHBA dhe paralajmërojnë se shtatzënia mund ta përkeqësojë depresionin dhe ankthin nëse ato nuk trajtohen siç duhet.
Sipas tyre, ilaçet moderne kundër depresionit konsiderohen të sigurta për përdorim gjatë shtatzënisë dhe nuk janë lidhur me probleme serioze tek foshnjat. Megjithatë, shumë gra zgjedhin t’i ndalin nga frika e ndikimit tek bebi.
Autorët e studimit theksojnë se vendimi për të vazhduar apo ndërprerë terapinë duhet të merret gjithmonë në konsultim me mjekun, pasi ndërprerja e menjëhershme mund të rrezikojë seriozisht shëndetin e nënës.











