Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 3,766 analiza laboratorike për 263 pacientë.
Sipas të dhënave të publikuara nga ky institucion shëndetësor, gjatë kësaj periudhe janë kryer gjithsej 445 vizita specialistike, ndërsa 44 pacientë janë pranuar për trajtim spitalor.
Aktualisht, në repartet e spitalit po trajtohen 176 pacientë të shtrirë.
Brenda 24 orëve është regjistruar edhe një lindje, ku ka ardhur në jetë një djalë, ndërsa janë kryer katër ndërhyrje kirurgjikale.
Po ashtu, janë realizuar 40 seanca të dializës, 104 ekzaminime me rëntgen, 36 ultrazëra dhe 16 rezonanca magnetike (MRI).
Sipas spitalit, gjatë kësaj periudhe janë kryer edhe nëntë ekzaminime me ekokardiografi, pesë kolonoskopi dhe 24 shërbime fiziatrike.













