Shkolla Finlandeze e Kosovës do të organizojë më 5 dhjetor një ditë të dyerve të hapura, duke u mundësuar prindërve dhe fëmijëve të interesuar të njihen nga afër me ambientet, programet arsimore dhe qasjen e saj ndaj procesit mësimor.
Aktiviteti do të mbahet nga ora 10:00 deri në 15:00 dhe synon t’u ofrojë familjeve mundësinë të përjetojnë nga afër përditshmërinë në shkollë, përmes vizitave në hapësirat mësimore, takimeve me ekipin dhe aktiviteteve të përbashkëta.
Gjatë kësaj dite, prindërit do të kenë mundësi të njihen me dy programet arsimore që ofron shkolla, si dhe të marrin informacione për qasjen mësimore dhe mundësitë që ofron secili prej tyre.
Një pjesë e aktivitetit do t’u kushtohet edhe fëmijëve, të cilët do të mund të marrin pjesë në aktivitete argëtuese dhe interaktive. Përmes tyre, familjet do të kenë mundësi të shohin se si ndërthuren mësimi, kreativiteti, bashkëpunimi dhe zhvillimi i fëmijëve.
Dita e dyerve të hapura u drejtohet veçanërisht familjeve që janë në proces të zgjedhjes së një shkolle për fëmijët e tyre, por edhe të gjithë atyre që dëshirojnë të njihen më mirë me filozofinë dhe qasjen arsimore të Shkollës Finlandeze të Kosovës.
Detajet e aktivitetit:
- Data: 5 dhjetor 2026
- Ora: 10:00–15:00
- Lokacioni: Shkolla Finlandeze e Kosovës
Për të marrë pjesë, prindërit dhe familjet e interesuara mund të regjistrohen përmes formularit online: Forma e regjistrimit për Open Day | 5 Dhjetor.













