Fruthi po përhapet me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara dhe në pjesë të tjera të Amerikës së Veriut, me më shumë se 1,168 raste të konfirmuara në SHBA, sipas të dhënave të fundit nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Vetëm këtë javë, janë shtuar 122 raste të reja, megjithëse shpërthimet në Pensilvani dhe Miçigan janë shpallur të përfunduara.
Teksa situata në Teksas po qetësohet, autoritetet vendore njoftuan se do të publikojnë të dhënat vetëm një herë në javë. Deri më tani, janë 742 raste të fruthit në 35 qarqe të Teksasit, shumica në komunitetin e bashkësisë menonite në Gaines County, ku janë raportuar 411 raste që nga janari – një përqindje e lartë për një zonë me popullsi të vogël. Dy fëmijë të pavaksinuar kanë humbur jetën në këtë shtet.
Në New Mexico, janë konfirmuar 81 raste, me një viktimë të pavaksinuar që nuk kërkoi ndihmë mjekësore. Oklahoma ka 15 raste të konfirmuara dhe tri të dyshuara, ndërsa Kolorado ka raportuar 12 raste, përfshirë një shpërthim të lidhur me një fluturim të Turkish Airlines në maj.
Në Kansas, janë regjistruar 71 raste, kryesisht në Gray County, ndërsa Montana ka parë 17 raste – rastet e para pas 35 vitesh. Dakota e Veriut, e cila nuk kishte parë raste që nga viti 2011, ka aktualisht 34 raste, të gjitha te persona të pavaksinuar.
Ohio ka 34 raste aktive, me dy shpërthime në Ashtabula dhe Knox County, ndërsa Tennessee mbetet në gjashtë raste, pa ndonjë shtim të ri që prej gjashtë javësh – një shenjë se edhe ky shpërthim po përfundon.
Në shkallë më të gjerë, edhe Kanadaja dhe Meksika po përballen me shpërthime të mëdha. Provinca e Ontarios ka raportuar 2,009 raste që nga tetori dhe një vdekje të fundit te një foshnjë me kushte të tjera mjekësore. Alberta ka 761 raste, ndërsa në Chihuahua të Meksikës, janë regjistruar 1,940 raste dhe katër vdekje.
Ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë se rënia e normave të vaksinimit, veçanërisht pas pandemisë, po ndihmon përhapjen e virusit. Fruthi mbetet një sëmundje shumë ngjitëse, që përhapet përmes ajrit dhe prek më lehtë komunitetet me mbulim të ulët të vaksinimit.
Sipas CDC-së, vaksina MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës) është mënyra më e sigurt për parandalim. Dy dozat janë të rekomanduara në fëmijëri, dhe të rriturit mund ta rifreskojnë pa rrezik nëse ka dyshim për imunitetin.
Fruthi fillon me temperaturë të lartë, kollë, hundë që rrjedh dhe skuqje të syve, ndjekur nga një skuqje e lëkurës që përhapet në të gjithë trupin. Në raste të rënda, mund të shkaktojë pneumoni, verbëri, ënjtje të trurit dhe vdekje.
Autoritetet bëjnë thirrje për vaksinim urgjent dhe vetëdijesim të shtuar për mbrojtjen e shëndetit publik, ndërsa rritet rreziku nga përhapja ndërkufitare e fruthit.












