Çdo ditë në Kosovë, mesatarisht 10 persona diagnostikohen me kancer. Këtë e tregojnë të dhënat e raportit të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të cilat dëshmojnë për rritjen e vazhdueshme të rasteve të reja, duke përfshirë edhe personat në moshë më të re.
“Kanceri është bërë si grip”, është një shprehje që dëgjohet gjithnjë e më shpesh në bisedat e përditshme. Ndonëse mund të tingëllojë si një ekzagjerim, shifrat zyrtare tregojnë se shqetësimi për përhapjen e kësaj sëmundjeje nuk është i pabazë.
Gjatë periudhës janar–dhjetor 2025, në Kosovë janë raportuar 3,775 raste të reja me kancer. Kjo përkthehet në rreth 10 diagnoza në ditë, me një incidencë prej 235.6 rastesh për 100 mijë banorë.
Për krahasim, në vitin 2012 ishin regjistruar 1,588 raste të reja, çka nënkupton se numri i diagnozave të reja është më shumë se dyfishuar brenda 13 vjetësh.
Ndërkohë, nëse përfshihen edhe pacientët e diagnostikuar në vitet paraprake, të cilët kanë marrë trajtim ose kanë qenë nën përcjellje mjekësore gjatë vitit 2025, numri i përgjithshëm i personave të regjistruar me kancer arrin në 5,564.













