Enj, Dhj 12, 2024
Banner Top
Banner Top
PSE DHE KUR JEPET KONTRASTI PËR INCIZIMET RADIOLOGJIKE?

Shkruar nga Dr. Blerim Myftiu Neurolog

Njëri prej keqkuptimeve më të shpeshta në mesin e vetë profesionistëve shëndetësorë është arsyeja e dhënies së “substancës së kontrastit” dhe çfarë dobie pritet prej aplikimit të saj? Pikësëpari duhet të dihet se jo çdo substancë që jepet në gjak arrin të depërtojë në tru. Truri e ka një barrierë/kufi të padepërtueshme e cila në kushte normale nuk lejon që çdo gjë që qarkullon në gjak të kalojë në tru.

Qëllimi i aplikimit të kontrastit do të jetë që të shihet nëse ky kontrast do të kalojë në tru apo jo. I bie që nëse barriera trunore është e dëmtuar, atëherë kontrasti do të kalojë në tru dhe ne do ta shohim në tomografi të kompjuterizuar apo rezonancë magnetike përforcimin e sinjalit.

Por nuk mjafton vetëm kalimi i kontrastit nëpër këtë barrierë. Duhet të ketë edhe enë gjaku që këtë substancë kontrasti do ta bartin në tru. Rrjedhimisht i bie që prania e substancës së kontrastit në imazherinë e trurit nënkupton praninë e enëve të gjakut në atë pjesë të trurit!

Po qe se mbahen në mend këto dy parime bazë, atëherë dimë se në çfarë rrethana vlen të jepet substanca e kontrastit:

Për shembull:

1. Tumori në tru e dëmton barrierën trunore dhe vetia kryesore e tij është se ka enë gjaku. Prandaj, po të aplikohet kontrasti në një rast të tillë, do të jetë i pritshëm kalimi i tij në tru dhe përforcimi i sinjalit. Në këtë rast, aplikimi i substancës së kontrastit është domosdoshmëri ngase paraqet një metodë diferencuese me patologjitë e tjera.

2. Infarkti në tru mund ta dëmtojë barrierën trunore, por brenda infarktit nuk ka enë gjaku funksionale (vetë fjala infarkt do të thotë bllokimi i qarkullimit të gjakut në atë zonë). Prandaj, po të jepet substanca e kontrastit në këtë rast, nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi, as brenda 24 orëve të para, as pas 24 orësh. Bindja se “po i japim kontrast që të shihet më mirë infarkti” ËSHTË E GABUAR!

Shembuj janë të panumërt. Duhet mbajtur mend se substanca e kontrastit NUK E BËN VETVETIU NJË INCIZIM MË CILËSOR, POR NDIHMON NË QARTËSIMIN E PATOLOGJIVE NDËRMJET VETE. Nuk duhet të përdoret në çdo rast. Aq më tepër aplikimi i saj mund të ketë efekte negative në shëndetin, siç janë dëmtimi i veshkave apo alergjia ndaj kontrastit të tomografisë së kompjuterizuar.

Studimi i fundit i mëposhtëm i bërë te pacientët me sklerozë multiple të cilët detyrohen shpesh t’i nënshtrohen rezonancave magnetike me kontrast ka dëshmuar për akumulimin e substancës së kontrastit gadolinium për një kohë të gjatë në tru. Ky akumulim nuk është arritur të vihet në ndërlidhje me progresionin apo peshën e sëmundjes. Megjithatë, duhet hedhur dritë në këtë korrelacion në të ardhmen. /Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë