Shfaqja teatrale “9 Shpirtrat” (Dokuz Canlı), një komedi e zezë bashkëkohore, do të ketë premierën e saj ndërkombëtare sonte në kuadër të Samsun Uluslararası Tiyatro Festivali në Turqi.
Kjo vepër, me tekst nga Tayfun Türkilli dhe regji nga Ali Volkan Çetinkaya, vjen si një bashkëprodhim ndërkombëtar mes Kosovës dhe Turqisë, duke sjellë në skenë një histori të pazakontë, plot tension, humor të zi dhe situata absurde.
Në qendër të ngjarjes është një marrëdhënie bashkëshortore e çrregulluar, ku përmes nëntë tentativave të dështuara për vrasje, zhvillohet një rrëfim i fuqishëm skenik që sfidon realitetin dhe logjikën, duke e mbajtur publikun mes të qeshurës dhe tronditjes.
Në këtë produksion marrin pjesë aktorët:Mevlan Saraçi, Gresë Gashi, Teuta Krasniqi, Jajush Ramadani, Milot Salihu dhe Dashuri Rexhepi.
Shfaqja është realizuar ne Koproduksion me Gresë Gashin dhe Teatri “Adriana” në Ferizaj, në bashkëpunim me artistë ndërkombëtarë, dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në prezantimin e teatrit Kosovar në skenën ndërkombëtare.
Premiera do të mbahet sonte në Samsun, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të teatrit, duke shënuar një moment të veçantë për ekipin artistik dhe publikun.












