Në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë, e cila shënohet çdo vit më 27 prill, Misioni i EULEX-it në Kosovë ka përkujtuar të zhdukurit dhe familjarët e tyre.
Në këtë ditë, Misioni i EULEX-it në Kosovë ka rikujtuar se familjet dhe të dashurit kanë të drejtë ta dinë të vërtetën për personat që ende janë të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
“Ekspertët e forenzikës të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) punojnë me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe institucione të tjera për ta zbardhur fatin e personave të zhdukur në lidhje me konfliktin në Kosovë, pavarësisht rrethanave të zhdukjes së tyre, përkatësisë etnike, fetare apo kombëtare apo çfarëdo karakteristike tjetër” – thuhet në videon e publikuar nga EULEX.
Në këtë video është shpjeguar se ky mision ofron ekspertizë në identifikimin e varreve, zhvarrosjen dhe identifikimin e personave të zhdukur.
“Familjet e personave të zhdukur mund ta ndihmojnë punën e IML-së duke dhënë mostra referente të ADN-së. Familjet gjithashtu mund të kontaktojnë për çdo sqarim lidhur me kërkesat për informacione” – thuhet në video.
Po ashtu, ky mision u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndajnë me EULEX-in çfarëdo informacioni për personat e zhdukur ose për ndonjë rast zhdukjeje, duke kontaktuar autoritetet përkatëse në Kosovë.
Në video shpjegohet se kontaktet ku familjet mund të kontaktojnë për çdo sqarim lidhur me kërkesat për informacione jane:
Kontakti i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) përmes numrit të telefonit: +383 (0) 38 200 18 555 dhe përmes emailit: info@mjeksialigjore-ks.com dhe po ashtu edhe kontakti i EULEX përmes numrit të telefonit: +383 (0) 49 78 4 111 dhe përmes emailit: info@eulex-kosovo.eu













