Shkruan: Krenare Hoti
Dhimbjet e vazhdueshme të nyjeve, ngurtësimi i trupit në mëngjes apo lodhja e pashpjegueshme shpesh neglizhohen si shqetësime të zakonshme të përditshmërisë. Megjithatë, në shumë raste këto mund të jenë shenjat e para të një sëmundjeje reumatike.
Për të kuptuar më mirë simptomat paralajmëruese, rëndësinë e diagnostikimit në kohë dhe sfidat që shoqërojnë këto sëmundje, kemi biseduar me reumatologun Dr. Besim Demolli.
Në këtë intervistë, ai shpjegon se cilat janë shenjat që nuk duhen neglizhuar, si dallohen sëmundjet reumatike nga dhimbjet e zakonshme të muskujve apo nyjeve, si dhe pse diagnoza e hershme luan rol kyç në parandalimin e komplikimeve afatgjata.
1. Cilat janë simptomat më të zakonshme të sëmundjeve reumatike?
Sëmundjet reumatike përfshijnë një spektër të gjerë gjendjesh, por shumë prej tyre ndajnë simptoma të përbashkëta që nuk duhen neglizhuar. Më të shpeshtat janë dhimbja e vazhdueshme në nyje, ënjtja, ngurtësia – veçanërisht në orët e mëngjesit – dhe kufizimi i lëvizjes. Shumë pacientë raportojnë gjithashtu lodhje të theksuar, ndjesi plogështie dhe rënie të energjisë, simptoma që shpesh nënvlerësohen por mund të jenë pjesë e aktivitetit inflamator.
Në disa sëmundje reumatike, simptomat nuk kufizohen vetëm në nyje; mund të preken muskujt, shtylla kurrizore, tendinat, lëkura, madje edhe organe të tjera si mushkëritë, zemra apo veshkat. Prandaj, sëmundjet reumatike nuk duhen parë thjesht si “probleme të kyçeve”, por si sëmundje që mund të ndikojnë në të gjithë organizmin.
2. Cilat shenja duhet t’i alarmojnë pacientët që të kërkojnë ndihmë mjekësore?
Ka disa shenja që duhen konsideruar si sinjale paralajmëruese. Dhimbja që zgjat për javë apo muaj, ënjtja e nyjeve, ngurtësia e mëngjesit që zgjat mbi 30 minuta, dhimbja që përkeqësohet në pushim dhe përmirësohet me lëvizje, janë elemente që kërkojnë vlerësim specialistik.
Gjithashtu, simptoma si lodhja e pashpjegueshme, humbja e peshës, temperaturat e ulëta të vazhdueshme, dobësia muskulore, ndryshimet në lëkurë apo episode të përsëritura inflamacioni nuk duhen injoruar. Në praktikën tonë, shpesh pacientët vijnë vonë duke menduar se “do të kalojë vetë”, ndërkohë sëmundja mund të ketë përparuar. Ndaj vlerësimi i hershëm është thelbësor.
3. Si dallohen simptomat reumatike nga dhimbjet e zakonshme të muskujve apo nyjeve?
Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, sepse jo çdo dhimbje është reumatike. Dhimbjet e zakonshme muskulore shpesh lidhen me lodhje fizike, qëndrim jo të mirë, mbingarkesë apo trauma të lehta dhe zakonisht qetësohen me pushim.
Ndërsa dhimbja me origjinë reumatike shpesh ka karakter inflamator: shoqërohet me ngurtësi në mëngjes, ënjtje, ndjesi nxehtësie në nyje dhe mund të zgjasë për kohë të gjatë. Një veçori e rëndësishme është se shpesh këto simptoma përsëriten ose përparojnë me kalimin e kohës. Pra, dallimi qëndron jo vetëm te dhimbja, por te modeli, kohëzgjatja dhe shenjat shoqëruese që e bëjnë të dyshohet një proces sëmundjeje.
4. Cilat janë sfidat më të mëdha në diagnostikimin e sëmundjeve reumatike?
Diagnostikimi i sëmundjeve reumatike shpesh është sfidues, sepse këto sëmundje mund të fillojnë me simptoma të përgjithshme, jo specifike, që mund të ngatërrohen me shumë gjendje të tjera. Disa pacientë paraqiten vetëm me lodhje apo dhimbje të shpërndara, ndërsa shenjat tipike mund të shfaqen më vonë.
Një tjetër sfidë është se jo gjithmonë analizat laboratorike japin përgjigje të menjëhershme; diagnoza nuk vendoset vetëm nga një analizë, por nga kombinimi i historisë klinike, ekzaminimit fizik, imazherisë dhe përvojës klinike. Në reumatologji shpesh kërkohet të shihet “tabloja e plotë”, jo vetëm një simptomë apo një rezultat laboratorik. Pikërisht kjo e bën diagnostikimin kompleks, por edhe shumë të rëndësishëm.
5. Sa e rëndësishme është diagnoza e hershme në këto sëmundje?
Diagnoza e hershme është një nga faktorët më vendimtarë për prognozën e pacientit. Në shumë sëmundje reumatike ekziston një “dritare terapeutike”, ku ndërhyrja në kohë mund të ndryshojë rrjedhën e sëmundjes, të parandalojë dëmtimet e pakthyeshme dhe të ruajë funksionin e nyjeve.
Nëse sëmundja identifikohet herët, trajtimi mund të kontrollojë inflamacionin, të reduktojë dhimbjen, të ruajë cilësinë e jetës dhe në shumë raste të parandalojë paaftësinë afatgjatë. Mesazhi që përpiqem gjithmonë të përcjell është se reumatizmi nuk duhet duruar, por duhet diagnostikuar dhe trajtuar në kohë. Në reumatologji, koha shpesh bën diferencën mes ruajtjes së funksionit dhe dëmtimit të përhershëm.













