Në shënim të Ditës Ndërkombëtare për Ndërgjegjësim ndaj Autizmit, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë thirrje që njerëzit të jenë afër njëri-tjetrit, me mirëkuptim, mbështetje dhe dashuri.
“Secili fëmijë dhe i rritur në spektrin e autizmit është unik. Jo më pak, por ndryshe. Dhe kjo “ndryshe” është vlerë. Sot, në Ditën Botërore të Autizmit, si çdo ditë tjetër, jemi pranë fëmijëve dhe të rriturve me autizëm.” ka shkruar Vitia.
Ndërkohë, në këtë ditë, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka ritheksuar sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen fëmijët në spektrin e autizmit dhe prindërit e tyre në realizimin e të drejtave themelore.
Në këtë reagim, KOMF ka listuar si problemet kryesore: mungesën e shërbimeve cilësore dhe të qasshme, barrën financiare mbi familjet, mbështetjen e ulët institucionale për organizatat joqeveritare, vështirësitë në përfshirjen arsimore, sfidat nëpër të cilat kalojnë prindërit, sfidat ligjore dhe mungesën e një sistemi të qëndrueshëm, si dhe nevojën për vetëdijesim dhe përfshirje sociale.
KOMF tutje ka bërë thirrje për veprim konkret nga të gjitha palët, institucionet, profesionistët dhe shoqëria në tërësi, për të garantuar që fëmijët në spektrin e autizmit të kenë mundësi të barabarta për të realizuar potencialin e tyre.













