Mër, Tet 21, 2026
Banner Top
Banner Top
Lifestyle Conference 2026 mbledh ekspertë për shëndetin mendor, parandalimin e sëmundjeve dhe risitë në shëndetësi

Lifestyle Conference 2026 mbahet sot, më 21 tetor, në Hotel Emerald në Prishtinë, duke mbledhur profesionistë të shëndetësisë, ekspertë të shëndetit mendor dhe përfaqësues të fushave të ndryshme për të diskutuar mbi sfidat shëndetësore dhe rëndësinë e parandalimit.

Konferenca nis në orën 09:00 dhe përmes paneleve diskutuesi dhe prezantimeve individuale synon të trajtojë tema që lidhen me shëndetin mendor, reduktimin e dëmit, parandalimin e sëmundjeve kronike, shëndetin e gruas dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në shëndetësi.

Një nga temat kryesore të konferencës është shëndeti mendor, me fokus te ndërgjegjësimi dhe veprimi. Në panelin e parë, me temën “Shëndeti Mendor: Nga Ndërgjegjësimi te Veprimi”, ekspertë të psikiatrisë, psikologjisë klinike dhe neuroterapisë do të diskutojnë për sfidat e shëndetit mendor dhe qasjet që mund të ndihmojnë në adresimin e tyre. Paneli do të moderohet nga gazetari i shëndetësisë Bujar Vitija.

Në kuadër të prezantimeve individuale, Nafije Berisha-Latifi, themeluese dhe drejtoreshë e OJQ-së “Jeta Vita”, do të trajtojë temën “Përtej Diagnozës: Parandalimi, Zbulimi i Hershëm dhe Shëndeti i Gruas”.

Një tjetër diskutim do t’i kushtohet reduktimit të dëmit në praktikë, përmes rishikimit të qasjeve ndaj shëndetit, rrezikut dhe zgjedhjeve individuale. Në këtë panel do të marrin pjesë profesionistë nga fusha e pulmonologjisë, shëndetit publik, mjekësisë së varësisë dhe farmacisë. Diskutimi do të moderohet nga specialistja e shëndetit publik dhe gazetarja Freskida Miloti.

Konferenca do të trajtojë gjithashtu ndikimin e teknologjisë në shëndetësi. Në prezantimin “Prapa Algoritmit: Roli i Mjekut në Inteligjencën Artificiale”, Rita Lila, specialiste e anotimit të të dhënave klinike në 91Life dhe eksperte e fushës mjekësore, do të sjellë perspektivën e saj mbi raportin mes mjekësisë dhe inteligjencës artificiale.

Parandalimi para trajtimit do të jetë në fokus të panelit të tretë, me temën “Stili i Jetës dhe Sëmundjet Kronike”. Përfaqësues të Odës së Mjekëve të Kosovës, specialistë të biokimisë klinike dhe mjekësisë familjare, si dhe një nutricioniste, do të diskutojnë mbi rëndësinë e stilit të jetës në parandalimin e sëmundjeve kronike.

Programi përfshin edhe diskutime mbi rolin e profesionistëve të shëndetësisë në promovimin e kujdesit parandalues dhe ndërgjegjësimin e publikut për zgjedhje më të shëndetshme.

Lifestyle Conference 2026 do të përmbyllet me fjalët përmbyllëse në orën 13:20, ndërsa nga ora 13:40 pjesëmarrësit do të kenë mundësi të vazhdojnë diskutimet dhe të krijojnë kontakte profesionale gjatë drekës dhe rrjetëzimit.

Youtube

Arkiva

Kategoritë