Shkruan: Krenare Hoti
Infeksionet gjinekologjike janë ndër shqetësimet më të shpeshta shëndetësore te gratë, duke ndikuar jo vetëm në mirëqenien fizike, por edhe në cilësinë e jetës dhe shëndetin riprodhues. Prandaj, informimi i saktë dhe parandalimi i hershëm janë elementë kyç për ruajtjen e shëndetit gjinekologjik.
Për të kuptuar më mirë llojet më të shpeshta të infeksioneve gjinekologjike, shkaqet, simptomat dhe mënyrat efektive të parandalimit, bisedojmë me Dr. Berat Krasniqi, gjinekolog, i cili ndan me ne njohuri profesionale dhe këshilla praktike për kujdesin ndaj shëndetit të grave.
Intervista e plotë:
- Cilat janë infeksionet gjinekologjike më të shpeshta tek femrat?
Infeksionet gjinekologjike janë ndër problemet shendetësore më të shpeshta tek femrat dhe mund të shfaqen në çdo moshë, nga adoleshenca deri në menopauzë, me incidencë më të lartë gjatë moshës riprodhuese. Ato lidhen me ndryshime të florës normale vaginale, faktorë hormonalë, higjienë intime jo të përshtatshme ose marrëdhënie seksuale të pambrojtura. Shpesh manifestohen me sekrecione vaginale jonormale, kruarje, djegie ose erë të pakëndshme dhe, nëse nuk diagnostikohen dhe trajtohen në kohë, mund të çojnë në komplikime serioze për shëndetin riprodhues. Infeksionet gjinekologjike më të shpeshta janë:
Vaginoza bakteriale zakonisht manifestohet me rritje të sekrecionit vaginal që ka ngjyrë gri ose të bardhë, është i hollë dhe homogjen dhe shoqërohet me një erë karakteristike që ngjan me erën e peshkut të prishur, e cila bëhet më e theksuar pas marrëdhënieve seksuale. Zakonisht nuk shoqërohet me kruarje apo dhimbje të forta, gjë që bën që shumë gra ta neglizhojnë. Nuk konsiderohet infeksion klasik qe transmetohet seksualisht, por vjen si pasojë e çrregullimit të florës normale vaginale, shpesh pas përdorimit të antibiotikëve, dusheve vaginale ose ndryshimeve hormonale. Diagnostikimi bëhet nga mjeku gjinekolog përmes ekzaminimit klinik dhe analizës p;rmes strihove vaginal.
Infeksioni vaginal nga Candida (kandidiaza) shfaqet kryesisht me kruarje intensive, ndjesi djegieje dhe skuqje të zonës intime, shpesh të shoqëruara me dhimbje gjatë urinimit ose marrëdhënieve seksuale. Sekrecioni është tipikisht i bardhë, i trashë dhe me pamje të grimcuar, që ngjan me djathë të thërrmuar, ndërsa zakonisht nuk ka erë ose aroma është shumë e lehtë. Ky infeksion zhvillohet kur prishet ekuilibri i florës vaginale, shpesh pas përdorimit të antibiotikëve, gjatë shtatzënisë, te diabetikët ose kur sistemi imunitar është i dobësuar. Diagnostikimi bëhet përmes ekzaminimit gjinekologjik dhe konfirmohet me analiza laboratorike të sekrecionit, me konkretishti strishove.
Trikomoniaza karakterizohet nga sekrecion vaginal te shtuar, me ngjyrë të verdhë në jeshile, shpesh me pamje shkumëzuese, i shoqëruar me erë të rëndë dhe të pakëndshme që ngjan me aromë të mykur ose dicka të kalbur. Simptomat përfshijnë kruarje, djegie, dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale dhe ndonjëherë dhimbje gjatë urinimit. Ky është një infeksion seksualisht i transmetueshëm dhe përfitohet kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura. Diagnostikimi kërkon ekzaminim gjinekologjik dhe analiza specifike laboratorike/m ikrobiologjike, ndërsa trajtimi duhet të përfshijë edhe partnerin seksual.
Infeksionet e qafës së mitrës si Chlamydia dhe Gonorrhea shpesh zhvillohen pa simptoma të dukshme, por në disa raste mund të shfaqen me sekrecion vaginal jonormal me ngjyrë të verdhë ose mukopurulente, gjakderdhje pas marrëdhënieve seksuale dhe dhimbje në fund të barkut. Zakonisht nuk kanë erë të theksuar, gjë që i bën veçanërisht të rrezikshme sepse mund të kalojnë pa u vërejtur për një kohë të gjatë dhe të çojnë në komplikime serioze si infertiliteti. Përfitohen përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura dhe diagnostikimi bëhet vetëm me teste laboratorike specifike nga mostra tw strishove cervikale.
Infeksionet urinare, megjithëse nuk janë infeksione vaginale të mirëfillta, shpesh ngatërrohen me to për shkak të afërsisë anatomike dhe simptomave të ngjashme. Ato manifestohen me djegie gjatë urinimit, urinim të shpeshtë dhe ndjesi presioni ose dhimbjeje në fund të barkut, ndërsa sekrecioni vaginal zakonisht nuk ndryshon. Shkaktohen kryesisht nga baktere si E. coli, që kalojnë nga zona anale në uretrë, dhe diagnostikohen përmes analizës së urinës.
2. Si mund ta kuptojë një femer që ka infeksion?
Një femër mund të dyshojë se ka një infeksion gjinekologjik kur vëren ndryshime të pazakonta në zonën intime, sidomos nëse këto shfaqen papritur ose përkeqësohen me kalimin e ditëve. Shenjat më të shpeshta janë ndryshimi i ngjyrës, sasisë ose konsistencës së sekrecionit vaginal, shfaqja e një ere të pakëndshme që nuk ka qenë më parë, kruarje apo djegie në vaginë ose rreth saj, si dhe ndjesi shqetësimi gjatë urinimit apo marrëdhënieve seksuale. Disa infeksione mund të shoqërohen edhe me dhimbje në fund të barkut ose gjakderdhje jashtë ciklit menstrual. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se disa infeksione, veçanërisht ato seksualisht të transmetueshme, mund të mos japin simptoma të dukshme, prandaj kontrolli gjinekologjik dhe analizat laboratorike mbeten mënyra e vetme e sigurt për vendosjen e diagnozës së saktë.
3. Çfarë i shkakton më shpesh këto infeksione?
Infeksionet vaginale shkaktohen më shpesh nga prishja e ekuilibrit natyror të florës vaginale, e cila normalisht mbron vaginën nga mikroorganizmat e dëmshëm. Faktorët më të zakonshëm përfshijnë përdorimin e shpeshtë ose të pakontrolluar të antibiotikëve, të cilët ulin bakteret mbrojtëse, ndryshimet hormonale gjatë ciklit menstrual, shtatzënisë ose menopauzës, si dhe higjienën intime jo të përshtatshme, veçanërisht dushet vaginale dhe produktet agresive për larje. Marrëdhëniet seksuale të pambrojtura dhe ndërrimi i shpeshtë i partnerëve rrisin rrezikun për infeksione seksualisht të transmetueshme, ndërsa faktorë të tjerë si stresi, diabeti, imuniteti i dobësuar, veshjet shumë të ngushta ose prej materialesh sintetike krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin e infeksioneve vaginale.
4. A transmetohen infeksionet gjinekologjike përmes marrëdhënieve seksuale?
Jo të gjitha infeksionet gjinekologjike transmetohen përmes marrëdhënieve seksuale, por disa prej tyre po. Disa infeksione, si vaginoza bakteriale dhe kandidiaza, zakonisht nuk konsiderohen infeksione seksualisht të transmetueshme, sepse zhvillohen kryesisht si pasojë e çrregullimit të florës normale vaginale, megjithëse aktiviteti seksual mund të ndikojë në shfaqjen ose përkeqësimin e tyre. Në anën tjetër, infeksione si trikomoniaza, klamidia dhe gonorrea transmetohen kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura dhe kërkojnë trajtim të njëkohshëm edhe të partnerit seksual për të shmangur riinfektimin. Për këtë arsye, përdorimi i prezervativit dhe kontrolli i rregullt gjinekologjik mbeten masa kyçe për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të këtyre infeksioneve.
5. A janë të rrezikshme infeksionet nëse nuk trajtohen?
Po, infeksionet gjinekologjike paraqesin rrezik klinik të konsiderueshëm nëse nuk diagnostikohen dhe trajtohen në kohë. Në fazat fillestare ato mund të jenë asimptomatike ose me shenja të lehta, por progresioni i infeksionit mund të çojë në përhapje ascendente nga vagina në qafën e mitrës, kavitetin uterin dhe tubat fallopiane, duke rezultuar në sëmundje inflamatore të pelvisit. Këto gjendje shoqërohen me rritje të rrezikut për infertilitet tubar, shtatzëni ektopike dhe dhimbje pelvike kronike.
Tek gratë shtatzëna, infeksionet e patrajtuara janë të lidhura me rritje të incidencës së lindjes së parakohshme, infeksioneve intrauterine dhe komplikimeve neonatale. Për më tepër, infeksionet seksualisht të transmetueshme, veçanërisht ato që shpesh zhvillohen pa simptoma të theksuara, mund të shkaktojnë dëmtime të përhershme të traktit riprodhues nëse nuk identifikohen në kohë, prandaj vlerësimi gjinekologjik dhe trajtimi i bazuar në evidencë mbeten thelbësore për ruajtjen e shëndetit riprodhues.
6. Çfarë mund të bëjnë gratë për t’i parandaluar?
Gratë mund të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun për infeksione gjinekologjike duke ruajtur ekuilibrin natyror të florës vaginale dhe duke ndjekur praktika të shëndetshme të kujdesit intim, por një rol thelbësor në parandalim kanë edhe vizitat e rregullta te gjinekologu. Higjiena intime duhet të jetë e thjeshtë dhe jo agresive, duke shmangur dushet vaginale dhe produktet me parfum që prishin pH-në vaginale, ndërsa përdorimi i prezervativit gjatë marrëdhënieve seksuale ndihmon në mbrojtjen nga infeksionet seksualisht të transmetueshme.
Kontrollet periodike gjinekologjike janë të domosdoshme sepse mundësojnë zbulimin e hershëm të infeksioneve edhe në rastet kur ato nuk japin simptoma, duke parandaluar komplikimet afatgjata. Përveç kësaj, rekomandohet përdorimi i veshjeve të brendshme prej pambuku, shmangia e rrobave shumë të ngushta, përdorimi i antibiotikëve vetëm me indikacion mjekësor, si dhe menaxhimi i sëmundjeve kronike dhe forcimi i imunitetit, pasi të gjitha këto masa, të kombinuara me ndjekjen e rregullt gjinekologjike, janë kyçe për ruajtjen e shëndetit intim dhe riprodhues të gruas.













