Pre, Mar 27, 2026
Banner Top
Banner Top
Dr. Meritë Rrahmani: Mbrojtja e Vogëlushëve. Udhëzues për Kopshtet në Periudhë Infeksionesh

Kohëve të fundit është vërejtur rritje e numrit të rasteve të fëmijëve me simptoma si kollë, temperaturë, plogështi dhe dhimbje fyti. Përveç trajtimit të simptomave, varësisht nga gjendja dhe imuniteti i fëmijës, ndonjëherë paraqiten komplikime që kërkojnë edhe hospitalizim.

Duke pasur parasysh dinamiken dhe përditshmërinë e shumicës prej nesh si prindër, shumë fëmijë i dërgojmë në kopshte apo qendra ditore. Këto institucione janë ndër vendet ku fëmijët ekspozohen më shpesh ndaj virozave sezonale.

Për këtë arsye, dua të ndaj disa këshilla rreth mënyrës së duhur të menaxhimit të tyre nga ana shëndetësore, me qëllim parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së virozave apo sëmundjeve të tjera potenciale.

Masa të rëndësishme për minimizimin e përhapjes së gripit në kopshtet e fëmijëve:

1. Higjiena personale

• Larja e duarve shpesh me ujë dhe sapun (para ngrënies, pas përdorimit të tualetit, pas teshtitjes/kollitjes dhe pas lojërave).

• Mësimi i etikës së kollitjes, fëmijët të mbulojnë gojën me bërryl dhe jo me duar.

• Vendosja e dispenserëve me dezinfektues për stafin, në rastet kur larja e duarve nuk është e mundur.

2. Higjiena e mjedisit

• Pastrimi dhe dezinfektimi i përditshëm i sipërfaqeve që preken shpesh (lodra, doreza dyersh, tavolina).

• Pastrimi i rregullt i lodrave prej pëlhure dhe rotacion i lodrave që nuk pastrohen lehtë.

• Ajrosja e klasave disa herë gjatë ditës për të siguruar qarkullim të mirë të ajrit.

3. Politika të qarta për praninë e fëmijëve të sëmurë

• Qëndrimi në shtëpi i fëmijëve me simptoma gripi (temperaturë, kollë, dhimbje fyti, rrjedhje e rëndë e hundëve).

• Rikthimi në kopsht vetëm pasi fëmija ka qenë 24 orë pa temperaturë, pa përdorur medikamente.

• Informimi i prindërve në rast të konfirmimit të rasteve të gripit brenda grupit.

4. Parandalimi me vaksinim

• Inkurajimi i prindërve për vaksinimin sezonal kundër gripit, veçanërisht për fëmijët me sëmundje kronike.

• Edukimi i stafit dhe prindërve mbi përfitimet e vaksinimit.

5. Menaxhimi i fluksit dhe klasëve me shumë fëmijë

• Kufizimi i aktiviteteve që grumbullojnë shumë fëmijë në hapësira të vogla.

• Përdorimi i peshqirëve personalë, shisheve individuale të ujit dhe mjeteve personale të ushqimit.

6. Informimi dhe edukimi i stafit

• Trajnimi i edukatoreve për njohjen e shenjave të hershme të gripit dhe sëmundjeve të tjera infektive.

• Edukim i vazhdueshëm mbi protokollet higjieno-sanitare.

Nëse fëmija ka temperaturë, kollë të fortë, vjellje, diarre ose është i lodhur dhe pa energji, është më mirë ta mbani në shtëpi dhe të mos e dërgoni në kopsht.

Kontaktoni mjekun kur simptomat zgjasin, përkeqësohen, ose kur nuk jeni të sigurt çfarë të bëni. Kështu mbroni shëndetin e fëmijës suaj dhe të fëmijëve të tjerë.

Kur fëmija është i sëmurë dhe ka nevojë për kujdes, prindi ka të drejtë të marrë pushim mjekësor (raport mjekësor) për tu kujdesur. Ky pushim jepet nga mjeku i familjes ose mjeku i pergjithshëm, i cili vlerëson gjendjen e fëmijës dhe përcakton ditët e nevojshme të kujdesit nga prindi.

Zakonisht:

• Pushimi merret vetëm nga njëri prind për periudhën e sëmundjes.

• Prindi paraqet raportin mjekësor tek punëdhënësi për të justifikuar mungesën

Dr. Meritë Rrahmani

Youtube

Arkiva

Kategoritë