Për disa njerëz, e premtja që bie më 13 është thjesht një ditë tjetër e kalendarit. Për të tjerë, ajo lidhet me fatin e keq, bestytnitë dhe frikën nga ngjarjet e papritura. Edhe pse nuk ka asnjë dëshmi shkencore se kjo datë sjell fatkeqësi, besimi se e premtja, 13 është ditë ters vazhdon të jetë i përhapur në shumë vende të botës.
Por nga e ka origjinën ky besim?
Një nga shpjegimet lidhet me numrin 13, i cili prej kohësh është konsideruar numër që sjell fat të keq në disa kultura perëndimore. Në traditën e krishterë, një nga lidhjet më të njohura është Darka e Fundit, ku sipas rrëfimeve biblike ishin të pranishëm 13 persona, ndërsa tradhtari Juda ishte personi i trembëdhjetë që u ul në tryezë.
Edhe dita e premte ka marrë kuptime negative në disa tradita. Një nga shpjegimet e përmendura shpesh lidhet me kryqëzimin e Jezu Krishtit, i cili besohet se ndodhi të premten.
Me kalimin e kohës, këto dy besime u bashkuan dhe krijuan idenë se e premtja, 13 është një ditë veçanërisht e pafat.
Çfarë thotë psikologjia për frikën nga e premtja, 13?
Frika e tepruar nga kjo datë ka edhe një emër: paraskevidekatriafobia. Ajo lidhet me triskadekafobinë, frikën nga numri 13.
Psikologët shpjegojnë se bestytnitë mund të ndikojnë në mënyrën se si njerëzit i interpretojnë ngjarjet. Kur dikush beson se një ditë është ters, ka më shumë gjasa t’i kushtojë vëmendje ngjarjeve negative që ndodhin atë ditë dhe t’i lidhë ato me datën, ndërsa ngjarjet e zakonshme ose pozitive mund t’i anashkalojë.
Ky fenomen lidhet me paragjykimin e konfirmimit, përmes të cilit njerëzit priren të vërejnë dhe të mbajnë mend informacionin që përputhet me bindjet e tyre.
A sjell vërtet fat të keq e premtja, 13?
Nuk ka prova shkencore që tregojnë se kjo datë sjell më shumë aksidente, fatkeqësi apo ngjarje negative sesa ditët e tjera të vitit.
Megjithatë, besimi vazhdon të ndikojë edhe në disa zakone të përditshme. Në disa vende, ndërtesat nuk e kanë katin e 13-të të shënuar me këtë numër, disa hotele shmangin numrin 13 në dhoma, ndërsa disa njerëz përpiqen të mos udhëtojnë ose të mos marrin vendime të rëndësishme në këtë datë.
Në fund, e premtja, 13 mbetet një përzierje e traditave historike, besimeve kulturore dhe psikologjisë njerëzore. Për disa është një ditë që duhet shmangur, ndërsa për të tjerë është thjesht një bestytni që ka mbijetuar ndër breza.













