Një takim i dedikuar komunikimit efektiv të rrezikut dhe angazhimit të komunitetit, me fokus të veçantë në menaxhimin e infodemisë (RCCE-IM), u mbajt dje me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), Zyrës së OBSH-së në Kosovë, ekspertëve ndërkombëtarë të komunikimit, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK) si dhe përfaqësuesve të mediave.
Në nismën e prezantuar nga Faik Hoti, u theksua se komunikimi i saktë, i besueshëm dhe i shpërndarë në kohë është element kyç për t’u përballur me dezinformatat, për të rritur besimin e qytetarëve ndaj vaksinave dhe për të forcuar besimin në institucionet shëndetësore. Sipas tij, këta faktorë janë thelbësorë për përgatitjen dhe reagimin në situata të emergjencave të shëndetit publik.
Pjesëmarrësit diskutuan rreth progresit të arritur në zbatimin e Planit të Veprimit për të Gjitha Rreziqet, duke ndarë përvoja dhe mësime të rëndësishme të fituara nga komunikimi i imunizimit në vend. Gjithashtu, u theksua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe për qasje të koordinuar ndaj menaxhimit të informacionit gjatë krizave shëndetësore.
Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve komunikative dhe për përmirësimin e ndërveprimit me publikun, në mënyrë që informacioni i duhur të arrijë tek qytetarët në kohën e duhur.















