Era lidhet me djersën, dhe disa njerëz lëshojnë një aromë më të fortë dhe më të theksuar se të tjerët.
Sipas, Harvard Health Publishing (HHP), divizioni i edukimit për publikun pranë Harvard Medical School (HMS), i cili ofron informacion shëndetësor të besueshëm dhe të bazuar në prova për publikun, shumicën e kohës, era e trupit nuk është problem dhe një dush e largon shpejt. Por nëse vini re një ndryshim në erën e trupit ose djersiteni shumë më tepër se zakonisht, kjo mund të jetë shenjë e një gjendjeje mjekësore që kërkon trajtim.
Çfarë e shkakton erën e trupit?
Me shumë gjasë e vini re erën e trupit më së shumti kur djersiteni. Trupi juaj ka dy lloje kryesore të gjëndrave të djersës, ekrine dhe apokrine, të cilat çlirojnë lëng në sipërfaqen e lëkurës kur keni vapë. Djersa ka një funksion të rëndësishëm. Ndërsa avullon, ajo ftoh temperaturën e trupit tuaj.
Gjëndrat ekrine gjenden në të gjithë trupin. Gjëndrat apokrine ndodhen në zona si sqetullat dhe ijët. Ato prodhojnë një lëng më të trashë, me ngjyrë të bardhë qumështi.
Vetë djersa nuk ka erë. Era krijohet kur bakteret bien në kontakt me djersën që prodhojnë gjëndrat apokrine.
Cilat sëmundje mund të shkaktojnë erën e trupit?
Personat që djersiten më shumë se zakonisht mund të diagnostikohen me gjendjen e quajtur hiperhidrozë. Hiperhidroza primare është një gjendje relativisht e rrallë që shfaqet pa një shkak të caktuar. Hiperhidroza sekondare lidhet me një problem mjekësor, si p.sh. afshet gjatë menopauzës, një infeksion ose një gjëndër tiroide tepër aktive. Stresi, disa medikamente dhe konsumimi i alkoolit mund të bëjnë gjithashtu që të djersiteni më shumë se zakonisht.
Nëse ende po kërkoni një shkak, shikoni dietën tuaj. Disa ushqime mund të ndryshojnë mënyrën se si mbani erë. Perimet e familjes kryqëzuese si brokoli, lakra dhe lulelakra prodhojnë gaz. Shpërbërja e hudhrës dhe qepëve në trup çliron përbërje të ngjashme me squfurin që dalin përmes poreve. Ndërsa personat me një gjendje të rrallë të quajtur trimetilaminuri zhvillojnë një erë si peshk pasi hanë ushqime deti.
Si të largoni erën e trupit
Mënyra më e lehtë për të eliminuar erën e trupit është duke bërë banjë ose dush, gjë që largon bakteret nga lëkura. Megjithatë, për shumë persona një dush i përditshëm mund të mos jetë i nevojshëm. Dushi disa herë në javë, sidomos pas ushtrimeve ose aktiviteteve që ju bëjnë të djersiteni, mund të jetë i mjaftueshëm për të larguar erën e trupit pa e tharë ose irrituar lëkurën.
Pas dushit ose banjës, aplikoni një antiperspirant dhe deodorant. Shumica e antiperspirantëve pa recetë përmbajnë përbërje me bazë alumini që bllokojnë gjëndrat ekrine, duke parandaluar djersitjen. Deodorantët pengojnë bakteret që shkaktojnë erën dhe mund të përmbajnë edhe aromë shtesë. Disa produkte kombinojnë të dyja. Nëse produktet pa recetë nuk e kontrollojnë djersitjen dhe erën e trupit, mjeku juaj mund t’ju përshkruajë një produkt më të fortë me recetë.
Vishni rroba prej materialesh që lejojnë frymëmarrjen si pambuku, mëndafshi ose leshi dhe lajini rrobat pas çdo përdorimi. Për ushtrime, mund të preferoni materiale që largojnë lagështinë si poliesteri ose najloni. Gjithashtu, mund të konsideroni rruajtjen e qimeve të sqetullave, gjë që lejon që djersa të avullojë më shpejt para se të krijojë erë.
Trajtimi i hiperhidrozës sekondare fokusohet te gjendja që e shkakton djersitjen e tepërt. Trajtimet për hiperhidrozën primare përfshijnë antiperspirantë, injeksione me toksinë botulinike dhe medikamente me recetë. Në rastet kur djersitja është aq e rëndë sa ndikon në jetën e përditshme, ndërhyrja kirurgjikale mund të bllokojë sinjalet nervore që aktivizojnë gjëndrat e djersës ose t’i heqë ato plotësisht.
Zakonisht, era e trupit, ashtu si edhe era e keqe e gojës, është më shumë bezdi sesa një problem serioz shëndetësor. Por nëse vëreni se nuk mund ta menaxhoni djersitjen dhe erën me ndryshime në stilin e jetesës, si larja e rregullt dhe përdorimi i antiperspirantit apo deodorantit, konsultohuni me mjekun ose dermatologun për këshilla. /Harvard Health Publishing/













