Hën, Tet 5, 2026
Banner Top
Banner Top
Antibiotikët dhe sheqeri janë kombinim i keq për zorrët: Shmangia e ëmbëlsirave mbron mikrobiomën

Studimi tregon se pacientët që konsumonin më shumë ushqime të ëmbla gjatë terapisë me antibiotikë humbnin ndjeshëm më shumë nga shumëllojshmëria e baktereve të dobishme në zorrë

Hulumtimi është kryer te pacientë me kancer të gjakut, të cilët i ishin nënshtruar transplantimit alogjen të qelizave staminale – një grup pacientësh me rrezik jashtëzakonisht të lartë për dëmtim të rëndë të florës së zorrëve dhe për komplikime të rrezikshme që lidhen me të.

Ëmbëlsirat dëmtojnë mikrobiomën e zorrëve

Rezultatet, të publikuara në revistën shkencore Nature, e mbështesin më tej konceptin e „ushqimit si ilaç” në onkologji dhe hapin mundësi për qasje të reja ushqimore gjatë trajtimit të kancerit dhe përdorimit të antibiotikëve të fuqishëm.

– Antibiotikët e zvogëlojnë shumëllojshmërinë e baktereve të zorrëve, pra të mikrobiomës, e cila luan rol kyç në mbështetjen e sistemit imunitar dhe të shëndetit në përgjithësi. Studimi ynë mbështet dëshmitë e reja se shmangia e ushqimeve të ëmbla gjatë terapisë me antibiotikë mund ta ruajë këtë shumëllojshmëri, e cila në studimet e mëparshme është lidhur drejtpërdrejt me rezultate më të mira klinike te pacientët me kancer, thotë bashkautori i studimit, dr. Marcel van den Brink, president dhe drejtor kryesor mjekësor i City of Hope Los Angeles.

Në këtë projekt pesëvjeçar, dr. Van den Brink bashkëpunoi me dr. Jonathan Peled nga Memorial Sloan Kettering Cancer Center dhe dr. Jonas Schluter nga NYU Grossman School of Medicine, transmeton Telegrafi.

Monitorim i hollësishëm i ushqimit në kohë reale

Antibiotikët janë të domosdoshëm për trajtimin e infeksioneve te pacientët me imunitet të dobësuar, por ata shkatërrojnë në mënyrë joselektive edhe bakteret e dobishme të zorrëve, duke krijuar hapësirë për shumimin e tepërt të mikroorganizmave të dëmshëm. Rreth 80 për qind e pacientëve të përfshirë në studim kishin marrë të paktën një antibiotik me spektër të gjerë.

Burimi: Telegrafi

Youtube

Arkiva

Kategoritë