Shkruar nga Blerim Myftiu – Neurolog
Neuralgjia nënkupton një formë të dhembjes e cila është e përnjëhershme, e befasishme, e papritur, në formë të drithërimës / goditjes së rrymës / elektrizimit, shpesh pa ekzistuar ndonjë dëmtim lokal i cili do ta arsyetonte këtë gjendje. Neuralgjia më së shpeshti shfaqet në territorin e nervit trigeminal (në fytyrë), prandaj edhe neuralgjia trigeminale është forma më e shpeshtë e kësaj patologjie me të cilën ballafaqohemi.
Në shumicën e rasteve ajo është idiopatike (d.m.th. shkaku nuk mund të detektohet as përmes rezonancës magnetike të trurit – RM). Sipas udhëzuesit të ri evropian të paraqitur rishtas, nevojitet medoemos realizimi i rezonancës magnetike të trurit. Arsyeja e realizimit të saj është të verifikohet nëse në trungun trunor (aty ku e ka bërthamën nervi trigeminal) ekziston ndonjë keqformim vaskular apo patologji tjetër e cila ushtron trysni mbi bërthamën e nervit. Nëse në RM detektohet prania e ndonjë sëmundjeje të përgjithshme neurologjike (si skleroza multiple) atëherë gjendja konsiderohet sekondare.
Karbamazepina në dozat 200-1200 mg/ditë apo Okskarbamazepina 300-1800 mg/ditë janë barnat e vijës së parë për trajtimin e gjendjes. Lamotrigina, Gabapentina, toksina e botulinës tip A, Pregabalina, Baklofeni dhe Fenitoina janë opsionet e tjera për kombinim apo si monoterapi. Udhëzuesi i ri evropian rekomandon edhe përdorimin e Fosfenitoinës apo Lidokainës intravenoze. / Familja Jone