Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
KOMF-i i gëzohet miratimit të Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë ka vlerësuar faktin që sot Kuvendi i Kosovës me 76 vota për dhe asnjë kundër miratoi Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.

KOMF thotë të ketë qenë pjesë integrale e grupit punues për hartimin e projektligjit dhe në vazhdimësi ka apeluar për aprovimin e tij.

Ky koalicion i OJQ-ve, dy ditë më parë mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media përpara objektit të Kuvendit të Kosovës, ku i bëri edhe një herë thirrje Kuvendit të miratojë sa më parë Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe, përveç kësaj, KOMF-i dorëzoi tek të gjithë deputetët e dokumentin me kërkesën për miratimin e Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

“Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës. Projektligji synon të garantojë dhe sigurojë përgjegjësitë e prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës bazuar në interesin më të lartë të fëmijës si dhe ngritjen e sistemit të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës, për parandalimin dhe përgjigjen efikase ndaj të gjitha formave të dhunës, abuzimit, shfrytëzimit e neglizhimit”, thotë KOMF-i në një komunikatë për media.

Njëherësh, KOMF-i njofton që nesër do mbajë një konferencë për media për hapat e ardhshëm, rekomandimet dhe veprimet që duhet ndërmarrë për implementimin efikas të projektligjit pas hyrjes në fuqi të tij.

Burimi: Koha.net

Youtube

Arkiva

Kategoritë