Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Dita Botërore e Shëndetësisë: Profesionistët shëndetësor, të përgatitur për t’u ballafaquar në fazat e pandemisë

Altina Marmullaku

Dita Botërore e Shëndetësisë, për herë të dytë e gjen botën në luftën kundër pandemisë COVID-19. Mirëpo, kësaj radhe, vendi ynë përveç masave parandaluese të cilat po shihen si parandalim i virusit COVID-19, vaksinimi po shikohet si njëri ndër proceset më të rëndësishme në luftën e pandemisë së koronavirusit.

Më 28 mars, në Kosovë arriti kontingjenti i parë me 24.000 doza të vaksinës së AstraZenecas. Këto vaksina, Kosova i mori falas përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësis

Në Kosovë, në javën e parë të fillimit të imunizimit kundër koronavirusit, pak më shumë se 3.000 punëtorë shëndetësorë janë vaksinuar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë janë 15.000 punonjës shëndetësorë në sektorin publik dhe atë privat. Po ashtu, rreth 500 mjekë nga Kosova, në fund të marsit u vaksinuan kundër COVID-19 në Kukës të Shqipërisë me vaksinën e AstraZenecas.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, në një intervistë për portalin Familja Jonë, thotë se interesimi për vaksinim është i mirë, por Ministria e Shëndetësisë do të dëshirontë të shihte interesim edhe më të lartë, sepse është shumë e rëndësishme që profesionistët shëndetësor që paraqesin vijën e parë mbrojtëse kundër COVID-19 të jenë të mbrojtur nga infeksioni.

Ndërsa, tutje shton se vaksinimi kundër COVID-19, do të vazhdoj nga data 8 prill me të moshuarit mbi 85 vjeç, për të vijuar nga fundjava me moshën prej 80-84 vjeç, pastaj të vendosurit në shtëpitë e kujdesit për të moshuar dhe nëpunësit socialë në këto shtëpi, dhe varësisht nga numri i dozave në dispozicion, edhe personat me sëmundje kronike si pacientët në dializë, të prekurit nga diabeti dhe me sëmundje të tjera kronike më të theksuara.

Hoti gjatë intervistës për portalin Familja Jonë, tregon edhe për numrin e punëtorëve shëndetësor që janë vaksinuar deri tani dhe sa pritet që të vaksinohen këto ditë.

Intervista e plotë:

Familja Jonë: Sa është numri i punëtorëve shëndetësor që janë vaksinuar deri tani?

Faik Hoti: Deri më tani, mbi 4000 të punësuar në institucione shëndetësore publike e private, kryesisht mjekë, infermierë e teknikë, por edhe nëpunës të shërbimeve tjera që punojnë brenda këtyre institucioneve, kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, AstraZeneca. 

Familja Jonë: Edhe sa punëtorë shëndetësor pritet që të vaksinohen këto ditë?

Faik Hoti: Në të dy sektorët punojnë rreth 15 mijë profesionistë shëndetësor, dhe nga kontigjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19,  të siguruara përmes mekanizmit COVAX, dozën e parë mund ta marrin që të gjithë. Është çështje tjetër nëse këtë mundësi do ta shfrytëzojnë shumica apo jo.

Familja Jonë: A ka aplikim të mjaftueshëm nga punëtorët shëndetësor që të vaksinohen?

Faik Hoti: Interesimi për vaksinimi është i mirë, por Ministria e Shëndetësisë do të dëshirontë të shihte interesim edhe më të lartë, sepse është shumë e rëndësishme që profesionistët shëndetësor që paraqesin vijën e parë mbrojtëse kundër COVID-19 të jenë të mbrojtur nga infeksioni.

Familja Jonë: Pas punëtorëve shëndetësorë kush pritet të vaksinohet?

Faik Hoti: Sipas Planit Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19, vazhdohet nga data 8 prill me të moshuarit mbi 85 vjeç, për të vijuar nga fundjava me moshën prej 80-84 vjeç, pastaj të vendosurit në shtëpitë e kujdesit për të moshuar dhe nëpunësit socialë në këto shtëpi, dhe varësisht nga numri i dozave në dispozicion, edhe personat me sëmundje kronike si pacientët në dializë, të prekurit nga diabeti dhe me sëmundje të tjera kronike më të theksuara.

Familja Jonë: Sot është Dita Botërore e Shëndetit, cili është mesazhi juaj që dëshironi të përcjellni tek të tjerët në periudhën e pandemisë COVID-19?

Faik Hoti: Pandemia COVID-19 ka sfiduar botën, ndërsa pasojat e saj janë të mëdha si në në rrafshin shëndetësor, ashtu edhe në atë social e ekonomik. Përtej anës së vështirë të kësaj sfide, Kosovën kjo ditë e gjen me profesionistë shëndetësor më të përgatitur për t’u ballafaquar në fazat  e mëtejmë të pandemisë, me kapacitete të fuqizuara si në aspektin e gjurmimit, zbulimit dhe diagnostikimit të rasteve të COVID-19, ashtu edhe në atë të trajtimit klinik të tyre.  Përfundimisht, edhe me një fillim të procesit të vaksinimit kundër COVID-19, me gjithë vonesat, që shihet si shpresë për t’u kthyer gradualisht në një “normalitet” tjetër, nëse krahas vaksinimit, zbatohen edhe masat esenciale kundër COVID-19 si bartja e drejtë e maskës, distanca fizike e sociale dhe mbajtja e higjienës.

COVID-19, ka sjellë komplikime edhe në mirëmbajtjen e shërbimeve të tjera shëndetësore, por falë përkushtimit institucional, profesionistëve shëndetësor dhe partnerëve lokalë e ndërkombëtarë, Kosova ja ka dalë deri më tani, dhe duhet të qëndrojmë të bashkuar e solidarë deri në fund për të luftuar për ta ruajtur e përmirësuar shëndetin publik të gjithë popullatë. /FamiljaJonë/

Youtube

Arkiva

Kategoritë