Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Vala Pupovci: Preferohet që të rriturit të konsumojnë rreth 30g fibra në ditë

Altina Marmullaku

Fibrat dietike janë pjesë të bimëve që nuk treten dhe absorbohen nga organizmi i njeriut në zorrën e hollë, mirëpo kalojnë në zorrën e trashë, kur zbërthehen prej bakterieve.

Mirëpo çfarë bëjnë ato për trupin e njeriut, pse janë të rëndësishme dhe si ndikojnë, në të gjitha këto na jep përgjigje dietologe dhe nutricioniste Vala Pupovci.

Ajo gjatë intervistës për portalin Familja jonë, thotë se është shumë e preferueshme që të rriturit të konsumojnë rreth 30g fibra në ditë, për shkak të dobive që ato ofrojnë për shëndetin.

Familja Jonë: Çfarë bëjnë fibrat për trupin e njeriut?

Vala Pupovci: Fibrat dietetike janë materie të cilat, ndryshe nga llojet tjera të karbohidrateve që gjenden në ushqim, nuk treten nga trupi i njeriut, prandaj arrijnë në zorrën e trashë të patretura. Fakti se ato kalojnë në zorrë të patretura, bën që mbeturinat të kalojnë më shpejt nëpër aparatin tretës, duke i bërë ato shumë të dobishme për shëndetin e aparatit tretës, përfshirë parandalimin e kapsllëkut apo sëmundjet e ndryshme të zorrëve.

Familja Jonë: Pse është e rëndësishme që individët të kenë fibra dietike rregullisht? 

Vala Pupovci: Është shumë e preferueshme që të rriturit të konsumojnë rreth30g fibra në ditë, për shkak të dobive që ato ofrojnë për shëndetin. Përfitimet shëndetësore nga konsumimi i mjaftueshëm dhe i rregullt i fibrave janë:

Menaxhimi i peshës trupore – për shkak se zënë volum më të madh në stomak, fibrat japin ndjesinë e ngopjes, prandaj një shujtë e pasur me fibra mund të ndihmojë në konsumimin më të ulët të ushqimit në shujta tjera.

Reduktimin e rrezikut për sëmundje të zemrës – ushqimet si tërshëra dhe elbi përmbajnë një lloj të fibrës, që njihet si beta – glucan, e cila ndihmon në uljen e kolesterolit në gjak nëse konsumohen rregullisht dhe kombinohen me një mënyrë të shëndetshme të të ushqyerit.

Menaxhimin apo parandalimin e diabetit të tipit 2 – ushqimet e pasura me fibra ndihmojnë në kontrollimin e sheqerit në gjak, duke mos shkaktuar rritje të larta të niveleve të glukozës në gjak.

Parandalimin e kancerit të zorrës së trashë – ndihmojnë në kalimin më të shpejtë të mbeturinave nëpër zorrë, si dhe ndihmojnë bakteriet në zorrë të prodhojnë substanca si acidet yndyrore me zingjirë të shkurtër, të cilët janë të dobishme për shëndetin tonë.

Familja Jonë: Si do ta ndihmonit një klient standard të fillonte të humbte peshë përmes dietës së duhur? 

Vala Pupovci: Zakonisht unë me klientët takohem për të diskutuar rreth humbjes së peshës dhe mënyrës aktuale të të ushqyerit. Gjatë takimit, realizojmë matjen e përbërjes trupore, me qëllim që të kuptojmë nevojat ditore energjetike të klientit. Njëkohësisht, identifikojmë hapësira ku mund të bëjmë përmirësime të vogla për të arritur qëllimin e secilit klient. Dieta e personalizuar përcaktohet në bazë të nevojave energjetike, qëllimit si dhe preferencave personale. Dieta e ‘duhur’ është dieta e shëndetshme, e cila përmban të gjitha grupet ushqimore në mënyrë të ekuilibruar, përveç nëse ka ndonjë arsye të veçantë për elimiminimin e grupeve ushqimore apo ushqimeve të caktuara.

Familja Jonë: Cilat janë disa këshilla të zakonshme që jepni për klientët?

Vala Pupovci: Këshilla ime gjithmonë është që dieta që përshkruhet, të merret si bazë për krijimin e shprehive të shëndetshme të të ushqyerit, dhe jo vetëm derisa të arrihet qëllimi i caktuar. Këshilla e vazhdueshme që ju jap klientëve është se nuk duhet të synojmë perfeksionizmin, për shkak se kur vjen puna të shëndeti dhe të ushqyerit, rezultatet më të dobishme vijnë nga të ushqyerit në mënyrë të ekuilibruar, duke përfshirë edhe konsumimin e ushqimeve të cilat konsiderohen të pashëndetshme me raste.

Familja Jonë: Cilat janë disa nga metodat më efektive që keni hasur kur bëhet fjalë për të ndihmuar klientët dhe grupet të bëjnë ndryshimet e nevojshme në stilin e jetës?

Vala Pupovci: Metoda më efektive që më kanë ndihmuar më së shumti me klientët e mi për të arritur ndryshim në stilin e jetesës është të merren hapa të ngadalshëm, duke bërë ndryshime të vogla çdo javë deri sa të krijohet një shprehi, ku të ushqyerit shëndetshëm vjen në mënyrë sa më natyrale. /FamiljaJonë/

Youtube

Arkiva

Kategoritë