Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Pulmologu Flamur Marku: Ka raste të përsëritjes së virusit tek i njëjti person

Kur jemi në valën e shpërndarjes së madhe të koronavirusit, është me interes për secilin të dihet nëse COVID-19 përseritet tek i njëjti person. Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare të publikuara lidhur me këtë çështje në Kosovë, pulmologu Flamur Marku shprehet se ka hasur raste te pacientët që virusi të jetë përseritur.

“Në fakt po, kemi marrë informata për raste të përseritura në botë, por edhe nga përvoja personale kam hasur më shumë se një rast që është infektuar përsëri”, u shpreh ai për portalin Familja jonë.

Marku foli gjithashtu edhe për rreziqet dhe kategoritë më të prekura nga koronavirusi. Ai, ndër të tjera, shpjegoi për problemet shëndetësore që i përcjellin pacientët pas shërimit nga koronavirusi dhe kohëzgjatjen e pandemisë.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë të Flamur Markut, të realizuar për portalin Familja jonë.

Sa i dëmton COVID-19 mushkëritë?

Shumica e njerëzve me COVID-19 kanë simptoma të lehta ose mesatare, si kollitje, ethe apo plogështi. Por disa të infektuar me koronavirusin e ri zhvillojnë pneumoni të rëndë në të dy mushkëritë. Kjo pneumoni është një gjendje serioze që mund të jetë vdekjeprurëse.

Në cilën fazë të COVID-19 pacienti fillon të ndiejë vështirësi në frymëmarrje dhe probleme me mushkëri?

Problemet me frymëmarrje shfaqen vetëm te rastet kur shkaktohet pneumoni dhe problemet më të mëdha do të jenë në atë fazë kur pjesët më të mëdha të mushkërive janë të prekura nga pneumonia.

A shkakton efekte afatgjate COVID-19 në mushkëri? Nëse po, sa janë të rrezikshme për shëndetin?

Format e rënda të pneumonisë që nuk trajtohen me kohë dhe si duhet, mund të lënë fibrozë të mushkërive, që në të ardhmën mund te sjellin probleme të ndryshme me frymëmarrje dhe, varësisht nga siperfaqja e prekur, mund të flasim saktë edhe për rrezikshmërinë.

Përballimi i lehtë i virusit, a mund të shkaktojë probleme të mëvonshme me mushkëritë?

Zakonisht format e lehta të virusit nuk lënë probleme me mushkëri, as gjatë kohës sa është aktiv me virus,as në kohën kur e kalon virusin.

Cila kategori i vuajnë më shumë problemet që sjell virusi në mushkëri? Pse?

Te ҫdo i infektuar mund të zhvillohet pneumonia, por më të rrezikuar janë të moshuarit dhe ata që kanë probleme të tjera shëndetësore, si sëmundje të mushkërive, hipertension arterial, sëmundje tjera të zemrës, diabet, dështim të veshkave apo edhe mbipeshë e obezitet. Për shkak të gjendjes shëndetësore edhe ashtu të rënduar.

Problemet e mëhershme mushkërore, a ndikojnë në mospërballimin e virusit?

Sigurisht problemet e mëhershme pulmonare (fibroza, bronkiektazite, apo edhe tumoret e mushkërive) ndikojnë negativisht në mundësinë e organizimit për të përballuar COVID- 19.

A ka ndonjë të dhënë se sa persona me sëmundje të mushkërive kanë vdekur nga virusi?

Nuk ka akoma të dhëna që mund të flasim saktë me numër për rastet e vdekjeve me probleme të mëhershme të mushkërive, por nga përvoja klinike mund të them se shumica dërrmuese kanë qenë me probleme të mushkērive dhe probleme kardiake apo renale.

Si duhet vepruar kjo kategori në rast infektimi?

Te rastet me sëmundje të mëhershme të mushkërive duhet kujdes i shtuar dhe sa më parë të konsultohet mjeku, që të merret tretmani adekuat.

Bazuar në njohuritë dhe përvojat që keni, sa mendoni se do zgjasë ky virus?

Të flasim realisht, si sëmundje e re, nuk ka qenë aspak sipas parashikimeve, krahasuar me pandemitë tjera që kanë qenë në botë. Edhe përkundër avancimit  të njohurive shkencore në botë, ende nuk mund të flitet se si apo kur mund të përfundojë kjo pandemi.

A po përsëritet virusi tek i njëjti person?

Në fakt po, kemi marrë informata për raste të përseritura në botë, por edhe nga përvoja personale kam hasur më shumë se një rast që është infektuar përseri. /familjajone

Youtube

Arkiva

Kategoritë