Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Si diagnostifikohet Hepatiti alkoolik?

Visar Zekaj – Gastroenterolog


Hepatiti alkoolik në të shumtën e rasteve zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa simptoma. Anamneza dhe ekzaminimi i kujdesshëm fizikal na ndihmon për diagnostifikim sidomos te rastet kur pacientët deklarojnë për konsumim të alkoolit. Ndër analizat tjera që nevojiten janë: hemogrami, enzimat e mëlçisë, testet e hemostazës, elektrolitet, markerët hepatik, testet e kemikaleve në trup. Poashtu ultrazëri i barkut, CT, MRI na ndihmojnë për të parë më qartë organet, por biopsia e mëlçisë është përcaktuese e dëmtimit. Biopsia bëhet me anë gjilpërës së vogël depërtohet në mëlçi dhe mirren disa mostra për ekzaminime histopatologjike dhe përcaktohet tipi i sëmundjes së mëlçisë.


Trajtimi i hepatitit alkoolik.


Trajtimi i Hepatitit alkoolik përfshin ndërprerjen e menjëhershme të konsumimit të alkoolit, sepse mjekësia e sotme nuk ka gjetur akoma mjekimin e kësaj semundje. Qellimi i trajtimit përfshin reduktimin apo eliminimin e simptomave duke ndalur procesin e sëmundjes.
Dëmtimi i mëlçisë është permanent, por mëlçia mund ti riparojë disa nga dëmtimet e shkaktuara nga alkooli dhe kjo është arsyeja që njeriu mund të jetojë gati normalisht. Shpresa e trajtimit është rikthimi i funksioneve të mëlçisë. Në këto raste rekomandohen programe të veqanta për ndalimin e alkoolit për disa pacientë. Këto jane institucione spitalore dhe paraspitalore që ofrojnë programe të caktuara në varshmëri të pacientëve. Këto programe mund të jenë shumë të dobishme për ti ndihmuar alkoolistët e pasionuar që të ndërprejnë pirjet e tepërta të alkoolit. 
Personat te të cilët janë shfqaqur shenjat e Hepatitit të rëndë duhet të trajtohen me medikamente të cilat përfshijnë përdorimin e kortikosteroideve dhe pentoksifilines për të ndihmuar zvogelimin e inflamacionit të mëlçisë. Te rastet e rënda të cilat terapia medikamentoze nuk ndihmon atëherë vie në shprehje transplantimi i mëlçisë por që edhe kjo paraqet mjaft problem për shkak të listave të gjata të pritjes dhe procesit të donorit. Poashtu te rastet që është zhvilluar hipërtensioni portal duhet bërë mjekimi me propranolol, poashtu për të evituar encefalopatitë rekomandohen edhe Lactuloza, në rast të ardhjes deri te grumbullimi i lëngut të lire në abdomen në këto raste fillon administrimi i diuretikëve për të eliminuar lëngjet e tepërta të formuara.
Preventiva e Hepatitit alkoolik
Aktualisht sasia e saktë që shkakton hepatitin alkoolik akoma nuk është e ditur. Qendra të avansuara ndërkombëtare japin vlerësimet mbi sasinë që shumica e personave mund të kalojnë në hepatitis alkoolik pijnë 7 gota verë, ose 7 birra, ose 7 gota alkool për 20 vite. Mënyra më e mirë për të parandaluar është mospirja fare e alkoolit. Jo të gjithë personat që pijnë alkool zhvillojnë Hepatitin alkoolik në raport me një numër që pijnë shumë më pak dhe zhvillojnë semundjen, por që akoma nuk dihet ky mekanizem. E rëndësishme është që te të gjithë personat që konsumojnë alkoolin mund të zhvillohet sëmundja si te ata që pijnë më pak si te ata që pijnë më shumë, por që te ata që pijnë në mënyrë të moderuar zhvillimi i sëmundjes është ulur dukshem. Afërsisht 35 % e njerzve që pijnë alkool zhvillojnë Hepatitin alkoolik, kurse 55% e personave me Hepatit alkoolik kalojnë ne gjendje ireverzibile të dëmtimeve-Cirrozë të Mëlçisë. Simptomat e hepatitit alkoolik mund të ngjajnë me shumë sëmundje tjera ashtu që është e rëndesishme të vizitohen te mjeku specialist për diagnostifikim dhe trajtim adekuat.

Youtube

Arkiva

Kategoritë