Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Si të ndihmojmë dikë që po përjeton një atak ankthi

Shenjat e një ataku ankthi përfshijnë:

– Shtim të rrahjeve të zemrës. Ndonjëherë mund të mendoni se po pësoni një atak kardiak.
– Ndiheni tepër të shqetësuar dhe frikësuar
– Veshtirësi në frymëmarrje
– Tensionim të muskujve
– Ndjesi parehatie
– Nauze ose dhimbje të stomakut
– Tharje të gojës
– Një ndjesi shkëputjeje ndaj asaj që po ndodh rreth teje

Përvoja e atakut të ankthit për gjithsecilin mund të jetë paksa e ndryshme. Ndjesitë fizike të një ataku ankthi mund të jenë aq të forta sa mund të ndjeni që trupi juaj po dorëzohet. Anasjelltas, mund të ndjeni sikur jeni shkëputur nga trupi juaj.

Ataket e ankthit zakonisht e arrijnë pikun pas 10 minutash, ndonëse mund të zgjasin deri në gjysmë ore. Shumica e njerëzve përdorin termin atak paniku për të zëvendësuar atak ankthi, ndonëse teknikisht janë paksa ndryshe. Një atak paniku mund të ketë simptoma të ngjashme, por shoqërohet gjithmonë me një ndjesi frike e tmerri nga vdekja ose humbja e kontrollit të vetes.

Dikush që përjeton një atak ankthi mund të jetë nën stres të madh. Ndoshta mund të ketë pësuar një ndryshim të madh në jetë, ose mund të shqetësohet së tepërmi për gjendjen në të cilën gjendemi aktualisht. Mundet edhe të jetë në mënyrë të vazhdueshme i prirur drejt ankthit, ndoshta si pasojë e prirjes familjare kundrejt ankthit. Ndonjëherë nuk është e qartë se pse ndodh një atak ankthi.

Nëse je me dikë, i cili po përjeton një atak ankthi, ka disa gjëra që mund të bësh për ta ndihmuar.

Këto përfshijnë:

– Të qëndrosh i qetë
– Ta inkurajosh që të bëjë frymëmarrje të thella
– Ta bësh që të përqendrohet te gjërat përreth
– Të kesh kujdes me fjalët që i thua
– Të vendosësh nëse është e nevojshme ndërhyrja mjekësore
– Ta inkurajosh që të kërkojë ndihmë
– Të bisedosh më pas me të rreth atakut


7 mënyra për të ndihmuar dikë që po përjeton një atak ankthi


1. Qëndro i qetë.

Nëse ju dukeni ankthioz, atëherë kjo mund ta bëjë personin që po pëson atakun të ndihet edhe më tepër në ankth. Me një ton zëri të qetë dhe mbështetës bëjini me dije se je pranë tij dhe je i gatshëm që ta ndihmosh dhe dëgjosh. Mos harroni se “Një njeri fillon të shërohet, kur fillon të dëgjohet”.

2. Inkurajoje që të bëjë frymëmarrje të thella.

Në shumë raste, shkurtimi i frymëmarrjes, që lidhet me ataket e ankthit, ndodh si pasojë e frymëmarrjeve sipërfaqësore, të cekta. Inkurajojeni personin që të marrë frymë thellë, ta mbajë frymën deri në 3 dhe më pas ta nxjerrë atë duke numëruar deri në 3. Bëjeni këtë deri sa frymëmarrja e thellë duket se po e ndihmon personin që po pëson atakun.

3. Bëj që të përqendrohet te gjërat përreth tij.

Një mënyrë për të ndihmuar dikë që të menaxhojë një atak ankthi është që ta bësh atë që të përqendrohet në sendet që ndodhen përreth tij. Për shembull, inkurajojini që të përqendrohet në një send që mund ta shohë, si psh një bimë, për 10 sekonda. Një qasje tjetër mund të jetë që të bësh personin që të të thotë pesë sende të ndryshme që shikon ose pesë gjëra që po dëgjon. Këto nxisin një pjesë tjetër të trurit, duke i shpërqendruar ata. Kjo mund ta ndihmojë gjithashtu personin që të krijojë kontakt me një send që i ndodhet afër, si psh të vendosë duart në një tavolinë ose karrige.

4. Bëni kujdes me fjalët.

Janë disa gjëra që të gjithëve na shkojnë në mendje t`i themi gjatë një ataku ankthi, që bëjnë edhe kuptim, por që në të vërtetë nuk ndihmojnë aspak. Në të vërtetë këto shprehje të zakonshme do të mund ta përkeqësonin më shumë ankthin dhe të tingëllojnë si të nxituara, madje edhe fajësuese. Disa nga shprehjet që do duhet të shmangni përfshijnë:

A je mirë?


Qetësohu


A ke takuar mjekun/ke marrë mjekimin?
 (Kjo mund të jetë diçka që mund ta bisedoni me qetësi pasi të ketë kaluar ataku, por jo në atë çast.)

Është e gjitha në kokën tënde


Pse e bën kaq të madhe?

Në vend të këtyre shprehjeve, përqendrohuni më tepër që të dëgjoni dhe të bëni atë që është e mundur në atë çast për ta ndihmuar.

5. Vendosni nëse është e nevojshme ndërhyrja mjekësore.

Nëse keni provuar disa mënyra për ta ndihmuar personin dhe asgjë nuk po ndryshon edhe pas 30 minutash, atëherë është mirë që të kërkoni ndihmë mjekësore. Nëse nuk jeni i sigurt që personi që po pëson një atak ankthi duhet të takojë një mjek, është më mirë që të gaboni dhe të kërkoni ndihmë. Mund të ketë mbivendosje me një atak kardiak dhe simptomave të atakut të ankthit. Gjithashtu mund të ketë edhe probleme të tjera shëndetësore që mund ta shkaktojnë atakun e ankthit, si psh problemet me tiroiden. Analizat dhe ekzaminimet e tjera mund të përjashtojnë problemet e zemrës dhe problemet e tjera mjekësore.

6. Inkurajojeni personin që të kërkojë ndihmë te një profesionist.

Ka shumë njerëz që kanë vështirësi me ankthin dhe të cilët nuk kërkojnë ndihmë, por shpesh ata nuk mund ta kalojnë këtë të vetëm. Ndaj, nxitini që të kërkojnë ndihmë te një profesionist në mënyrë që të mësojnë mekanizmat që të përballen sa më mirë me ankthin.

7. Flisni më pas me të rreth atakut të ankthit.

Në mënyrë të qetë, të butë dhe jo paragjykuese, pas përjetimit të atakut të ankthit, përpiquni të flisni me të rreth atakut. Përqëndrohuni që të jepni mbështetje, bashkëpunim dhe jo ta fajësoni.

Pyeteni nëse ka patur edhe më parë atake të ankthit ose nëse kanë nevojë për mbështetje që të kërkojë ndihmë. Nëse është e mundur, jepini të kuptojë që mund ta shoqëroni në takimet e para me një terapist për të kërkuar ndihmë në lidhje me ankthin. Duke mësuar dhe praktikuar strategji në përballjen me ankthin, ai person do të mund të lehtësojë ndikimet e atakeve të ankthit në të ardhmen.

Këto strategji përfshijnë:

– Terapia me tinguj natyrorë
– Terapia konjitive bihejviorale
– Frymëmarrje të thella
– Meditimi
– Joga
– Përdorimi i mjekimit me barna

Përveç kësaj, të menduarit rreth shkaktarit të atakut të ankthit mund ta ndihmojë personin që të gjejë se çfarë mund ta nxisë atë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë