Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Skender Zogaj: “TË LUMTË MAESTRO: SABRI FEJZULLAHU”

Shkruar nga shkrimtari, gazetari dhe kritiku i artit Skender Zogaj

Aktori i shquar i skenës së teatrit, i ekranit tv dhe i filmit, artisti i madh – më i madhi i të mëdhenjve të këngës argëtuese shqipe, Sabri Fejzullahu, edhe njëherë, si dhe qindra herë të tjera, në jetën e tij të bujshme dhe të frytshme krijuese, e mposhti pandeminë e Koronavirusit dhe ua bëri magjike natën të gjithë shqiptarëve, me performancën koncertale “Sabriu për Prishtinën”, që Klan Kosova e transmetoi drejtpërdrejtë nga stadiumi “Fadil Vokrri” i Prishtinës.
Në vargun e ngjarjeve të trishtueshme, nga pandemia dhe epidemitë e ndryshkta politike, ekonomike, sociale, shoqërore, dhe të një injorance me degradime morale të pashembullta, Sabriu u shfaq si njē aureolë plot shkëlqim dhe joshje të shpresës për jetën, që nuk do të mund të liget, (as të vdes assesi!), derisa Kosova do të ketë shpirtra të bardhë dashurie, të flaktë për njeriun, për tokën dhe për qiellin e Kosovës, siç është Sabriu, i miri i më të mirëve të këngës shqipe, i madhi i më të mëdhenjve për mijëra shqiptarë anembanë botës, të cilëve ky kampion i muzikës, me perlat e tij muzikore nga Prishtina, nxori zjarrin e zemrës dhe e përhapi plot dashuri, duke ringjallur shpirtrat e ndrydhur të mija shqiptarëve të mbyllur si në kafaz!
Koha, vendi, rrethanat, mënyra dhe qëllimi i performancës koncertale “Sabriu për Prishtinën”, pasqyroi shpirtin e madh e pasionant të Sabri Fejzullahut, i cili edhe pse në moshën e tretë, shfaqi energji të kulluar djaloshare, duke mbajtur linjën e interpretimit me përqendrim të shkëlqyer, brenda oktavës së kodit karakteristik të zërit dhe emfazës melodike, që Sabriun e shquajnë, si më të veçantin në gjithë muzikën shqipe!
Interptretimeve të Sabri Fejullahut i shërbeu jashtëzakonisht mirë edhe pianisti virtuoz, Fatjon Miftari, që u dha finesë nuancave melodike dhe dramës lirike të këngëve, duke mos e lëne të hetohet mungesa e orkestrave me varg instrumentesh, qe zakonisht i duhen interpretimeve të këtij këngëtari.
Ekranizimi i këtij solo-koncerti është një dokumentar me vlerë të madhe për TV Klan Kosovën që, e përfshiu në planin e përditshmërisë së vet programore, një ngjarje të rëndësishme artistike. TV Klan Kosova tregoi vigjilencë profesionale dhe zotësi krijuese, duke zënë dhe përjetësuar një fragment të jetës së një artisti të madh, i cili, si edhe shumë herë në të kaluarën, edhe kësaj here, artistikisht iu kundërvu pandehmës kërcënuese gjithënjerëzore – Kovid-19! Pasioni i këngëtorit Sabri Fejzullahu, ishte një vaksinë freskuese shpirtërore, një mesazh i mirëfilltë dhe i plotëkuptimtë për më shumë dashuri, për më shumë mirëkuptim dhe vetëdijesim ndaj të sotmes, në shërbim të së ardhmes më të lumtur, dhe në shenjë të respektit ndaj së kaluarës, në të cilën janë veprat e mëdha dhe sakrifica historike e dishepujve të çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës!
Të lumtë maestro: Sabri Fejzullahu! Urime Tv Klan Kosova!

Skënder Zogaj – Kritik Arti

Fotografitë:Granit Muliqi

Youtube

Arkiva

Kategoritë