Enj, Nën 5, 2026
Banner Top
Banner Top
QKUK shënon një arritje të re: Realizohet lindja e parë pas IVF-së në sektorin publik

Një tjetër hap i rëndësishëm është shënuar në shëndetësinë publike në Kosovë. Në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është realizuar lindja e parë me prerje cezariane e një pacienteje, shtatzënia e së cilës ishte arritur përmes fertilizimit të asistuar (IVF) në sektorin publik.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj, përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për zhvillimin e shërbimeve gjinekologjike dhe obstetrike në vend.

Sipas Ndrejajt, ky rezultat është dëshmi e punës dhe përkushtimit të stafit shëndetësor, si dhe e progresit në konsolidimin e shërbimit të fertilizimit të asistuar në sektorin publik.

“Ky moment shënon një arritje të rëndësishme dhe një dëshmi konkrete të punës, përkushtimit dhe profesionalizmit të stafit tonë. Njëkohësisht, dëshmon se shërbimi i IVF-së në Klinikën tonë po konsolidohet, po zhvillohet dhe ka një të ardhme premtuese”, ka shkruar ai.

Drejtori i Klinikës ka theksuar se kjo arritje nuk përfaqëson vetëm një sukses institucional, por edhe një mundësi të re për çiftet që përballen me infertilitetin dhe që tashmë mund të përfitojnë nga shërbimet e fertilizimit të asistuar në sistemin publik shëndetësor.

“Është një lajm i mirë për gjithë qytetarët e Kosovës, një shpresë e re për çiftet që përballen me sfidat e infertilitetit dhe një dëshmi se edhe në sektorin publik mund të ndërtohen shërbime moderne, cilësore dhe të besueshme”, ka theksuar Ndrejaj.

Youtube

Arkiva

Kategoritë