Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi në Kryqytet, Bujar Gashi, përmes Facebook-ut ka bërë të ditur që jane takuar Kolegjiumi për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, që për fokus ka cështje që lidhen me zhvillimin dhe funksionimin e shërbimeve të kujdesit parësor shëndetësor dhe nevojat konkrete të komunave.
“Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe projektit AQH – Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor, u zhvillua takimi i Kolegjiumit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, me fokus në çështje që lidhen me zhvillimin dhe funksionimin e shërbimeve të kujdesit parësor shëndetësor dhe nevojat konkrete të komunave.
Angazhimi i profesionistëve shëndetësorë dhe praktikantëve në kujdesin parësor ishte një nga çështjet kryesore të trajtuara.
Në takim u diskutua nevoja për të qartësuar dallimin ndërmjet praktikës profesionale, angazhimit vullnetar dhe punësimit, si dhe mënyrën e përzgjedhjes, financimit dhe mbikëqyrjes së këtyre angazhimeve.
Në këtë kuadër u ngrit edhe mundësia e angazhimit të profesionistëve me përvojë, përfshirë mjekët në pension.
Kolegjiumi kërkoi që AKK, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, të shqyrtojë kuadrin ligjor dhe të përcaktojë një zgjidhje të qartë dhe të zbatueshme për komunat.
Formula e financimit të shërbimeve shëndetësore ishte një tjetër çështje e ngritur nga komunat.
U theksua se financimi duhet të pasqyrojë më mirë dallimet ndërmjet komunave dhe ngarkesën reale të shërbimeve, duke marrë parasysh edhe faktin se disa komuna u ofrojnë shërbime qytetarëve që nuk janë rezidentë të tyre.
Në këtë kontekst u diskutua edhe ndikimi i regjistrimit të fundit të popullsisë dhe kostos së personelit.
U kërkua që këta faktorë të merren parasysh në rishikimin e formulës së financimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.
Përmirësimi i kujdesit parësor dhe mjekësisë familjare mbetet një nga fushat kryesore të bashkëpunimit me projektin AQH.
Diskutimi u përqendrua në mbështetjen e komunave, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe forcimin e praktikave profesionale, duke synuar që ndërhyrjet të lidhen sa më drejtpërdrejt me nevojat e identifikuara në nivel lokal.
Siguria e punonjësve shëndetësorë u ngrit si çështje me rëndësi të veçantë, pas rasteve të fundit të sulmeve verbale dhe fizike ndaj stafit shëndetësor.
Komuna e Prishtinës theksoi nevojën për trajtim institucional të kësaj problematike dhe për masa konkrete për mbrojtjen e punonjësve në institucionet shëndetësore.
Zhvillimi i kujdesit parësor shëndetësor dhe mjekësisë familjare u trajtua edhe përmes prezantimit të Dr. Agron Gashit, nga Institute of Southeast Europe for Health and Social Policy, i cili prezantoi gjetjet kryesore të “Analizës për kujdesin parësor shëndetësor dhe mjekësinë familjare në Kosovë 1999–2026”.
Analiza sjell të dhëna dhe gjetje mbi zhvillimin e sektorit dhe sfidat që kërkojnë vëmendje në planifikimin e ardhshëm të shërbimeve, burimeve njerëzore dhe financimit të kujdesit parësor”, ka shkruar Gashi në Facebook.















