Mar, Gus 25, 2026
Banner Top
Banner Top
Çfarë ndodh me trupin tuaj gjatë 24 orëve pa gjumë?

Të kalosh një natë pa gjumë mund të duket si diçka që mund ta përballojmë me kafe dhe pak vullnet. Por pas 24 orësh zgjuar, trupi dhe truri fillojnë të funksionojnë ndryshe. Përqendrimi bie, reagimet ngadalësohen dhe aftësia për të marrë vendime dobësohet.

Ja çfarë mund të ndodhë gjatë këtyre 24 orëve:

Pas disa orësh pa gjumë

Në fillim mund të ndiheni thjesht të përgjumur. Por ndërsa kalojnë orët, fillojnë të shfaqen vështirësi në përqendrim, më shumë gabime dhe reagime më të ngadalta.

Truri nuk përpunon informacionin me të njëjtën efikasitet dhe detyrat që zakonisht i bëjmë pa shumë mendim mund të kërkojnë më tepër përpjekje.

Pas rreth 12 orësh

Lodhja bëhet më e dukshme. Mund të keni vështirësi të qëndroni të fokusuar, të jeni më nervozë dhe të keni ndryshime të humorit.

Gjithashtu mund të rritet dëshira për ushqime me shumë kalori, pasi mungesa e gjumit ndikon në hormonet që lidhen me urinë dhe ngopjen.

Pas 18 orësh

Në këtë pikë, aftësia për të reaguar dhe për të marrë vendime mund të jetë dukshëm më e dobët. Mund të keni vështirësi të mendoni qartë, të mbani mend gjëra të thjeshta ose të kontrolloni emocionet.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse duhet të drejtoni automjetin ose të kryeni një punë që kërkon përqendrim të lartë.

Pas 24 orësh

Pas një dite të plotë pa gjumë, performanca mendore dhe fizike mund të dëmtohet ndjeshëm. Mund të shfaqen përgjumje e fortë, vështirësi në përqendrim, koordinim më i dobët dhe reagime më të ngadalta.

Disa njerëz mund të përjetojnë edhe episode të shkurtra të “mikrogjumit” – momente kur truri bie në gjumë për disa sekonda, ndonjëherë pa e kuptuar personi.

Për këtë arsye, të qëndrosh zgjuar për 24 orë nuk është thjesht çështje lodhjeje. Është edhe çështje sigurie. Drejtimi i automjetit kur je shumë i privuar nga gjumi mund të jetë veçanërisht i rrezikshëm.

Po zemra dhe sistemi imunitar?

Mungesa e gjumit nuk ndikon vetëm në tru. Gjumi i pamjaftueshëm mund të ndikojë në presionin e gjakut, metabolizëm dhe funksionimin e sistemit imunitar. Një natë pa gjumë zakonisht nuk shkakton dëme të përhershme te një person i shëndetshëm, por përsëritja e mungesës së gjumit mund të ketë pasoja më serioze.

Lajmi i mirë është se trupi mund të rikuperohet pas një nate të keqe gjumi. Ajo që duhet shmangur është kthimi i mungesës së gjumit në një zakon.

Dhe ndoshta arsyeja më e mirë për të mos e “shtyrë” gjumin: trupi nuk ka një buton që mund ta zëvendësojë atë me kafe.

Youtube

Arkiva

Kategoritë