Shkruan: Dr.Meritë Rrahmani
Dilema jonë mes rrezikut real dhe alarmit të rremë.
Malaria është një sëmundje infektive e shkaktuar nga një parazit (Plasmodium) që sulmon rruazat e kuqe të gjakut dhe përhapet pothuajse ekskluzivisht përmes kafshimit të mushkonjës së infektuar të llojit Anopheles.
Ajo nuk transmetohet përmes kontaktit të zakonshëm shoqëror (si ajri, kollitja apo shtrëngimi i duarve), por vetëm në mënyrë direkte përmes gjakut (transfuzion, shiringa apo nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë).
Për këtë arsye, Kosova nuk është një vend i rrezikuar dhe nuk ka rrezik për përhapje komunitare; rasti i vetëm i konfirmuar është një “rast i importuar” nga udhëtimi jashtë vendit, çka do të thotë se pa praninë e zinxhirit të transmetimit lokal, prania e tij nuk përbën kërcënim për shëndetin publik.
Nëse jeni turist që keni udhëtuar në zona të prekura nga malaria, ebola apo infeksione të tjera të ngjashme, duhet të monitoroni shëndetin tuaj për të paktën 21 deri në 30 ditë pas kthimit.
Nëse shfaqni simptoma si ethe, temperaturë të lartë apo lodhje të pazakontë, kontaktoni me telefon Klinikën e Sëmundjeve Infektive ose shërbimin e urgjencës për t’i njoftuar paraprakisht për historinë tuaj të udhëtimit, pa shkuar drejtpërdrejt në salla pritjeje.
Deri në marrjen e udhëzimeve mjekësore, vetë-izolohuni në shtëpi, shmangni kontaktin e afërt me të tjerët, mos u vetëmjekoni me barna pa rekomandim dhe vazhdoni terapinë parandaluese nëse ju është udhëzuar më parë nga mjeku i vendit nga keni ardhur.
Nuk ka hapësirë për panik, por vetëm për ndërgjegjësim dhe kujdes të zakonshëm shëndetësor. Raste të tilla te turistët janë plotësisht të pritshme për shkak të lëvizjeve globale dhe nuk përbëjnë rrezik për përhapje në popullatën tonë. E tëra çfarë nevojitet është përgjegjësia individuale: çdo udhëtar që kthehet nga zonat endemike thjesht duhet të monitorojë shëndetin e tij dhe në rast nevoje, të informojë stafin mjekësor për historinë e udhëtimit. Me veprime të qeta, të matura dhe informim të saktë, shëndeti publik mbetet plotësisht i sigurt.














