Një analizë e re e gjakut mund të ndihmojë në identifikimin e personave që kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundjen Alzheimer vite përpara shfaqjes së simptomave, sugjeron një studim i ri.
Sipas hulumtimit, të moshuarit që nuk shfaqnin probleme me kujtesën apo funksionet njohëse, por kishin nivele të larta të biomarkerit p-tau217 në gjak, kishin 38% më shumë gjasa të zhvillonin shenja të hershme të demencës brenda pesë viteve. Pas 10 vitesh, rreziku rritej në 78%, megjithëse studiuesit theksojnë se këto të dhëna kërkojnë konfirmim të mëtejshëm.
“Kjo na tregon se në të ardhmen testet e gjakut për p-tau217 mund të na ndihmojnë të vlerësojmë rrezikun individual të një personi për zhvillimin e dëmtimit njohës”, tha autorja kryesore e studimit, Rachel Buckley, profesoreshë e asociuar e neurologjisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit, raporton CNN.
Deri më tani, diagnostikimi i sëmundjes Alzheimer mbështetej kryesisht në metoda të kushtueshme dhe invazive, si skanimet PET ose analiza e lëngut cerebrospinal. Sipas Buckley, testet e gjakut që matin proteinën e fosforiluar p-tau217 mund të parashikojnë me saktësi praninë e pllakave beta-amiloide në tru.
Këto pllaka grumbullohen gradualisht në tru, duke shkaktuar inflamacion dhe duke dëmtuar komunikimin mes neuroneve. Ato mund të fillojnë të formohen dekada përpara se të shfaqen simptomat e para të humbjes së kujtesës, madje edhe te persona në të 30-at ose 40-at.
Me rritjen e depozitave të beta-amiloidit, në qelizat e trurit fillojnë të krijohen grumbuj të proteinës tau, të cilët dëmtojnë neuronet dhe çojnë në vdekjen e tyre. Megjithatë, studiuesit theksojnë se prania e këtyre proteinave nuk do të thotë domosdoshmërisht se një person do të zhvillojë demencë.
Rezultatet e studimit do të prezantohen në Konferencën Ndërkombëtare të Shoqatës së Alzheimerit dhe janë botuar në revistën shkencore JAMA. Hulumtimi analizoi të dhënat e gjashtë studimeve të zhvilluara në Australi, Amerikën e Veriut dhe Japoni, ku u përfshinë rreth 2,700 të rritur të moshuar pa shenja të rënies njohëse. Pjesëmarrësit iu nënshtruan skanimeve PET dhe analizave të gjakut në fillim të studimit dhe u ndoqën për deri në 21 vjet.
Megjithatë, autorët theksojnë se gjetjet janë ende në fazë të hershme dhe duhet të konfirmohen nga studime më të mëdha, që përfshijnë njerëz me prejardhje dhe karakteristika të ndryshme shëndetësore.













