Mosha e mesme sjell ndryshime të rëndësishme fizike dhe hormonale që mund të ndikojnë në shëndetin e zemrës. Gjatë kësaj periudhe, metabolizmi ngadalësohet, shtimi në peshë bëhet më i lehtë dhe mund të rriten tensioni arterial dhe niveli i kolesterolit, duke shtuar rrezikun për sëmundjet kardiovaskulare.
Sipas kardiologut Oliver Guttmann, disa zakone të përditshme mund ta përkeqësojnë këtë rrezik. Ai thotë se ngrënia vonë në mbrëmje mund të ndikojë negativisht në metabolizëm dhe cilësinë e gjumit, ndërsa me kalimin e kohës mund të favorizojë shtimin në peshë dhe zhvillimin e sindromës metabolike.
Eksperti paralajmëron gjithashtu se produktet me etiketën “pa yndyrë” nuk janë domosdoshmërisht më të shëndetshme, pasi shpesh përmbajnë sheqer ose kripë të shtuar për të ruajtur shijen. Edhe ushqimet që duken të shëndetshme, si koset me shije, supat, salcat dhe buka, mund të përmbajnë sasi të larta kripe, e cila lidhet me rritjen e tensionit arterial.
Një tjetër faktor i rëndësishëm është gjumi. Sipas studimeve, personat me orare të çrregullta gjumi kanë rrezik më të lartë për infarkt dhe goditje në tru, pasi prishja e ritmit natyror të organizmit ndikon në funksionimin e sistemit kardiovaskular.
Qëndrimi ulur për periudha të gjata është gjithashtu një zakon që mund të dëmtojë zemrën. Ekspertët rekomandojnë ndërprerjen e kohës së kaluar ulur me pushime të shkurtra dhe lëvizje gjatë ditës.
Sipas specialistëve, ndryshime të vogla në stilin e jetesës, si ngrënia më herët, kufizimi i kripës, mbajtja e një orari të rregullt gjumi dhe aktiviteti fizik i rregullt, mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për sëmundjet e zemrës dhe në ruajtjen e shëndetit afatgjatë.













